Albanian English

12 Nëntor 2015

NJOFTIM PËR SHTYP

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave duke përshëndetur gjetjet e Progres Raportit 2015 për Shqipërinë, dëshiron të theksojë përfundimet lidhur me performancën gjithmonë në rritje të këtij institucioni në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, si një nga prioritetet kyç për integrim në Bashkimin Europian.

Progres Raporti ka evidentuar se: “Performanca e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave është përmirësuar dukshëm. Në 2014, Inspektorati dërgoi 74 kallëzime penale në prokurori, nga të cilat 25 u dërguan për gjykim. Në 2015, ILDKPKI dërgoi 82 kallëzime penale pranë prokurorisë, nga të cilat 5 u dërguan për gjykim. Këto kallëzime përfunduan në 3 vendime me burgim dhe 17 gjoba. Midis kallëzimeve penale të ILDKPKI-së janë 12 gjyqtarë, 2 prokurorë dhe 6 deputet. Një ndjekje e plotë e ecurisë së kallëzimeve penale të dërguara nga Inspektorati i Lartë, përfshi regjistrin e gjurmimit të të dhënave për hetime penale të suksesshme dhe dënime përfundimtare, mbetet ende për t’u treguar. Në 2014, Inspektorati vendosi 400 masa administrative ‘me gjobë’ dhe 420 të tilla në 2015. Nuk ekziston ende një sistem elektronik për dërgimin, kontrollimin dhe publikimin e deklaratave të pasurisë. Procesi për zgjedhjen se cilat nga deklaratat e pasurive të zyrtarëve publikë do të kontrollohet duhet ende të garantojë një ‘kampion’ të mjaftueshëm të zyrtarëve të lartë, përfshi anëtarët e parlamentit, ministrat dhe gjyqtarët. Parandalimi i konfliktit të interesave kërkon një ndërgjegjësim më të madh, në veçanti në fushat me risk të lartë për korrupsion.” (faqe 54)

Për më tepër, Progres Raporti, në vlerësim të kontributit të lartë potencial për rritjen e efikasitetit në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit të ILDKPKI-së, ka theksuar nevojën e shmangies së influencës politike duke fortësuar forcuar pavarësinë dhe përgjegjësinë e këtij institucioni.

Progres Raporti ka rekomanduar më tej se, fushëveprimi dhe kapacitetet e ILDKPKI-së duhet gjithashtu të fortësohen, bashkëpunimi dhe shkëmbimi i të dhënave midis institucioneve, në kushtet kur nuk ka pengesa ligjore, duhet të garantojë aksesin e nevojshëm në baza të dhënash dhe burime të qënësishme, përfshi regjistrin e pasurive të paluajtshme dhe informacionin bankar, për të kontrolluar në mënyrë të plotë deklaratat e pasurive.

Lidhur me masat parandaluese, Progres Raporti ka rekomanduar përmirësim të mëtejshëm të kapaciteteve administrative, teknike dhe financiare veçanërisht duke marrë në konsideratë numrin në rritje dhe shpeshtësinë e kontrollove të parashikuara në ndryshimet ligjore të vitit 2014, si dhe ngritjen e një sistemi elektronik për të menaxhuar konfliktin e interesave dhe deklarimin e pasurive.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave mbetet i angazhuar për tolerancë zero ndaj korrupsionit duke bashkëpunuar me të gjithë aktorët e përfshirë në parandalimin dhe luftën kundër këtij fenomeni të shëmtuar, i cili dëmton jo vetëm shoqërinë shqiptare në tërësi, por dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës.

_________________________________________

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME SHTYPIN

© 2011 ILDKPKI, Të gjithë të drejtat e rezervuara
Kjo faqe u mbështet nga: