Albanian English

14 Korrik 2011

FJALIM PER CEREMONINE E MBYLLJES SE KOMPONENTIT 6 TE SFIDES SE MIJEVJECARIT

14.07.2011

 

I nderuar z. Ambasador Arvizu

E nderuar Prokurore e Përgjithshme, zonja Rama

Të nderuar ministra, z. Nishani e z. Bode

Të nderuar z. Çeku dhe z. Shaqiri

Kolegë, të ftuar dhe pjesëmarrës

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ndihet thellësisht i vlerësuar që është një prej institucioneve nënshkrues të Memorandumit të Bashkëpunimit për krijimin e Njësive të Përbashkëta Hetimore, sukses i arritur falë Projektit Sfida e Mijëvjeçarit.

Si një ndër institucionet kryesore në luftën kundër korrupsionit, Inspektorati i Lartë është përfitues i drejtëpërdrejtë i asistencës teknike dhe ligjore të ofruar nga Projekti i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për forcimin e kapaciteteve investiguese, nëpërmjet OPDAT-it.

Krjimi i Njësive të Përbashkëta Hetimore ka ofruar një impuls të ri bashkëpunues mes institucioneve në luftën kundër korrupsionit dhe në drejtim të forcimit të shtetit ligjor në Shqipëri.

Aktualisht, falë iniciativës së Projektit Sfida e Mijëvjeçarit, agjencitë e specializuara ligjzbatuese në vendin tonë kanë forcuar komunikimin dhe shkëmbimin e informacionit për raste të dyshuara korrupsioni në radhët e administratës publike.

Ky koordinim ka sjellë rezultate konkrete. Zyrtarë të ndryshëm janë vendosur para përgjegjësisë ligjore për përfshirje në afera korruptive, ndërkohë që çështje të tjera janë nën hetim. Memorandumi i Bashkëpunimit, krijoi gjithashtu, një klimë të re bashkëpunimi reciprok dhe terrenin e përshtatshëm për të treguar forcën reale të shtetit.

Nga ana tjetër, Projekti Sfida e Mijëvjeçarit u angazhua maksimalisht në zbatimin në praktikë të formave të bashkëpunimit ndërinstitucional, duke prezantuar Udhëzuesin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar.

Inspektorati i Lartë, si një ndër kontribuesit në hartimin e këtij manuali nëpërmjet ekspertëve të tij, e konsideron këtë botim si një guidë tejet të rëndësishme për hartimin e strategjive më të mira kundër korrupsionit.

Duke falenderuar Projektin Sfida e Mijëvjeçarit, OPDAT-in dhe, në përgjithësi qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndihmesën e çmuar që i jep vendit tonë për forcimin e shtetit ligjor, shpreh bindjen se aktualisht ne jemi të pajisur me mekanizma të rëndësishëm investigues, të cilët prodhojnë suskes.

Ju faleminderit!

© 2011 ILDKPKI, Të gjithë të drejtat e rezervuara
Kjo faqe u mbështet nga: