Albanian English

19 Mars 2012

 “Pasuritë, do të hetohen të afërmit dhe shokët e zyrtarëve”

Deri në fund të muajit mars, rreth 4800 zyrtarë duhet të dorëzojnë deklaratën e pasurisë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Në rast shkelje të këtij afati, drejtuesi i këtij institucioni, z. Adriatik Llalla, shprehet i vendosur të zbatojë sanksionet administrative “gjobë” pa asnjë tolerim. Në një intervistë për “Koha Jonë”, z. Llalla, ka shpjeguar hapësirat e mëdha investiguese që i janë krijuar institucionit që ai drejton nga amendimi i Kodit Penal, duke e vënë theksin tek hetimet për pasuri të regjistruara nga zyrtarët në emra të personave të tretë. Gjithashtu, kryeinspektori i kontrollit të pasurive shpjegon strategjinë e tij për luftën kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë, në zbatim të një prej rekomandimeve bazë të Bashkimit Evropian për Shqipërinë.

Zoti Llalla, pak ditë para se të përfundojë afati i deklarimit të pasurisë për vitin 2011, Ju keni dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë raportin vjetor, në të cilin thuhet se ju keni bërë edhe 16 kallëzime penale për zyrtarët të cilët e kanë fshehur apo nuk e kanë deklaruar pasurinë. Sa të lidhura janë këto dy momente, pra deklarimi dhe ndëshkimi dhe a e kanë marrë penalizimin e duhur këta zyrtarë në bazë të ligjit?

Afati përfundimtar për deklarimin nga ana e subjekteve të pasurive për vitin 2011 dhe dorëzimi i raportit vjetor të institucionit në Kuvendin e Shqipërisë janë momente të veçantë nga njëri-tjetri. Deklarimi i pasurive është detyrim i zyrtarëve që janë subjekte të ligjit, ndërsa dorëzimi i raportit vjetor është detyrim i institucionit karshi Kuvendit të Shqipërisë. Megjithatë, shifrat konkrete që gjenden në raportin vjetor natyrisht janë rrjedhojë e hetimit administrativ që është bërë mbi deklaratat e interesave private të dorëzuara nga vetë subjektet.

Fillimisht, e shoh me interes të ndalem në momentin e detyrimit për deklarim. Siç dihet tashmë, deri më 31 Mars, të gjithë zyrtarët që mbartin detyrim për deklarim duhet të plotësojnë dhe dorëzojnë formularët e pasurisë. Në këtë dokument, subjektet duhet të shënojnë shtesat apo pakësimet e pasurive të tyre gjatë vitit 2011, si edhe burimet e krijimit të aseteve të paluajtshme apo të luajtshme. Gjithashtu, duhen shënuar të ardhurat që kanë përfituar gjatë vitit të kaluar dhe detyrimet që kanë shlyer. I theksoj këto elementë, pasi ka ende zyrtarë të cilët, megjithëse kanë disa vite që deklarojnë, ende nuk e plotësojnë në mënyrën e duhur deklaratën e pasurisë. Për çdo rast tejkalimi të afatit ligjor në dorëzimin e e formularit të pasurisë pa arsye ligjore, Inspektorati i Lartë do të aplikojë masat administrative “gjobë” sipas dispozitave përkatëse. Nga një analizë e përgjithshme që ka bërë ILDKP, rezulton se mbi 90% e subjekteve deklarues janë në detyrë prej vitesh, ç’ka do të thotë që tashmë janë familjarizuar me respektimin e afatit për deklarim. Për këtë arsye, institucioni ynë nuk do të tolerojë asnjë rast vonese pa arsye ligjore, qoftë edhe një-ditore, në plotësimin e këtij detyrimi. Periudha që zyrtarët kanë në dispozicion për dorëzimin e formularit fillon në datën 3 Janar të çdo viti dhe përfundon më 31 Mars. Tre muaj janë mëse të mjaftueshëm për të bërë llogaritë mbi ndryshimet e interesave private.

Moment i dytë është ndëshkimi penal ndaj zyrtarëve….

Në raportin e ILDKP për vitin 2011, dorëzuar tashmë në Kuvendin e Shqipërisë, janë paraqitur në planin statistikor mbi 140 raste zyrtarësh të ndëshkuar për shkelje të ndryshme të ligjit për deklarimin e pasurive dhe për parandalimin e konfliktit të interesave, nga të cilat 16 janë kallëzime penale. Ndër kallëzimet, në 5 raste është evidentuar nga ILDKP fshehje apo mosdeklarim i pasurisë dhe në 11 raste të tjera është evidentuar refuzimi për deklarimin e pasurisë, të dyja të parashikuara në nenin 257/a të Kodit Penal. Sipas një informacioni statistikor të mbërritur nga organi i Prokurorisë, ecuria e këtyre rasteve ka qenë e tillë: Nga 5 rastet e kallëzuara për deklarim të rremë apo fshehje pasurie, për 4 raste prokuroria ka vendosur pushimin e procedimit penal. Kundër vendimeve të pushimit, ILDKP ka paraqitur ankim pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe në gjykatë. Në 2 nga këto procedime, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur lenien në fuqi të vendimit të pushimit. Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të ankimit të ILDKP, Gjykata e Rrethit Gjyqësor ka vendosur pranimin e ankimit të ILDKP, shfuqizimin e vendimeve të pushimit dhe kthimin e cështjes për hetime të metejshme. Në 2 procedimet e tjera, Prokuroria e Përgjithshme, mbi bazën e ankimit të ILDKP, ka vendosur shfuqizimin e vendimeve të pushimit, duke lënë detyra konkrete për t’u kryer nga organi i prokurorisë. Ndërkohë që 1 procedim penal është dërguar për gjykim pak ditë më parë

Po ashtu, nga 11 rastet e kallëzuara për refuzim për deklarim, për 8 procedime janë përfunduar hetimet paraprake dhe janë dërguar për gjykim në gjykatat e rretheve gjyqësore sipas juridiksionit përkatës. Vetëm 2 procedime janë në fazën e hetimeve paraprake. Për 1 rast është vendosur pushimi i  procedimit penal dhe është në proces ankimimi nga ILDKP.

Pra, nga totali prej 16 kallëzime penale, janë dërguar deri më tani për gjykim 8 raste për refuzim për deklarim dhe vetëm 1 për fshehje të pasurisë. Ndërsa janë ende në shqyrtimin e organit të akuzës edhe katër raste e tjera të fshehjes së pasurisë.

Pra, nuk ka asnjë të dënuar nga këto raste?

Nga 16 rastet e kallëzuara gjatë vitit 2011, deri në momentin që po komunikoj me ju, nuk ka ende asnjë të dënuar. Gjithësesi, duhet marrë parasysh faktin se proceset gjyqësore kanë afate proceduriale dhe duhet pritur përfundimi i tyre për të dhënë përgjigje të plotë. Në rastet e dërguara më parë për gjykim është evidentuar se zyrtarët janë shpallur të pafajshëm ose kanë marrë dënime minimale me gjobë nga gjykata. Në gjykimin tonë, kjo ka ardhur si rezultat i hetimeve të paplota që ka kryer prokuroria ose zbutja e akuzës kundër zyrtarëve, ashtu edhe i asaj që mund ta konsiderojmë në terma të butë si dashamirësi e tepruar e gjykatës.

Z. Llalla, nëse e perifrazojmë termin “dashamirësi”, a mund të aludoj që është një shprehje më e zbutur për të mos përmendur fjalën “korrupsion” në radhën e gjyqësorit, të paktën në trajtimin e këtyre rasteve të korrupsionit?

Inspektorati i Lartë është një ndër institucionet kryesore në luftën kundër korrupsionit dhe ka detyrimin ligjor që rastet korruptive t’i provojë me fakte konkrete. Pra, unë i qëndroj shprehjes “dashamirësi në gjykim”, për sa kohë nuk kemi prova për veprime korruptive. Gjithësesi, Inspektoratit të Lartë, në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë, me amendimet e fundit të Kodit Penal, i krijohen hapësirat për të verifikuar nëse “dashamirësia e tepruar” e gjyqësorit në çështje të natyrave të ndryshme, pra jo vetëm të rasteve me të dyshuar korruptivë, mund të jetë rrjedhojë e veprimeve për përfitime materiale nga ana e gjyqtarëve.

 

Gjithësesi, ekziston një perceptim i përgjithshëm në opinionin publik se korrupsioni është i përhapur në sistemin e drejtësisë….

Perceptimi është një gjë dhe korrupsioni i provuar është një gjë tjetër. Nuk mund ta mohoj kurrësesi që ky fenomen nuk ka gjetur përhapje edhe në sistemin e drejtësisë. Megjithatë, shumë prej atyre që pretendojnë se kanë rënë pre e korrupsionit në prokurori apo gjykatë mjaftohen me shprehje opinion në ambjente publike apo private dhe nuk paraqesin prova e fakte konkrete. Ndoshta kjo është rrjedhojë e mungesës së besimit të qytetarëve tek institucionet publike, frymë që ka shumë vite që ka ekzistuar në vendin tonë. Por, e them me bindje se kjo panoramë po ndryshon. Inspektorati i Lartë ka aktualisht në shqyrtim disa çështje shumë voluminoze, të cilat kanë pasur si indicie pikërisht informacionin nga publiku. Për nga numri i rasteve të referuara nga qytetarët, konstatojmë me kënaqësi se ka një rritje të besimit tek Inspektorati i Lartë për luftën kundër korrupsionit. Në zbatim të rekomandimeve të Bashkimit Evropian, institucioni ynë e ka shndërruar në çështje prioritare antikorrupsionin në sistemin e drejtësisë. Ndihmesë e madhe në aktivitetin investigues të institucionit tonë do të jetë ndryshimi më i fundit në Kodin Penal, nëpërmjet të cilit forcohen ndjeshëm kapacitetet hetuese.

Vërej se po i referoheni amendimit në Kodin Penal si një mundësi më e madhe për suksesin në luftën kundër korrupsionit. Cili është përfitimi i Inspektoratit të Lartë?

Përfitimi është fuqizimi i kapacitetit investigues të Inspektoratit të Lartë. Në ndryshimet e fundit të Kodit Penal është marrë parasysh edhe një kërkesë e ILDKP, për amendimin e nenit 257/a të tij. Në bazë të këtij ndryshimi, përveç zyrtarëve, mbajnë përgjegjësi ligjore penale edhe ata persona që kanë lidhje ekonomike me zyrtarët (të afërm apo të rrethit shoqëror), të cilët refuzojnë të deklarojnë pasurinë kur kjo u kërkohet nga ILDKP apo bëjnë deklarim të rremë të pasurisë.

Në ligjin për deklarimin e pasurive ekziston një dispozitë, në bazë të të cilit persona që kanë lidhje interesash pasurore me zyrtarët, në rast se vlerësohet e nevojshme nga Inspektori i Përgjithshëm për saktësinë e hetimit mbi pasuritë e zyrtarëve, duhet të deklarojnë interesat e tyre private. Por, nëse këta persona jo zyrtarë refuzonin të deklaronin pasurinë, në Kodin Penal nuk ishte e parashikuar asnjë sanksion. Ky boshllëk ligjor ka krijuar hapësirat e nevojshme për zyrtarët që, pasuritë e krijuara në mënyrë abuzive, t’i deklaronin si dhurata, huamarrje pa interes apo regjistrim të pasurive të paluajtshme e të luajtshme në emra të personave të tretë, të cilët nuk mund të hetoheshin nga ILDKP.

Dhe nuk janë të paktë ata zyrtarë që deklarojnë se kanë marrë hua pa interes apo dhurata nga persona të ndryshëm. Janë rreth 500 subjekte që deklarojnë se kanë marrë hua pa interes nga persona të ndryshëm, ku një numër i madh prej tyre janë nga sistemi i drejtësisë. Po ashtu, janë rreth 260 subjekte të tjerë që deklarojnë se kanë marrë dhurata në formë para cash (kesh) apo në pasuri të patundshme.

Tashmë, me amendimet e fundit në Kodin Penal, është parashikuar përgjegjësia penale në rast refuzimi për deklarim të pasurisë apo mosjustifikim të pasurisë për personat e ndryshëm, jo zyrtarë por që kanë lidhje pasurore me subjektet që kontrollon Inspektorati i Lartë. Në përfundim të procesit të deklarimit periodik/vjetor, i cili përfundon më 31 Mars, Inspektorati i Lartë do të nisë menjëherë procedurat e deklarimit me kërkesë për rreth 200 qytetarë, të cilët rezultojnë si dhurues apo huadhënës të zyrtarëve. Ndërkohë, gjatë vitit 2012 pritet që ky numër fillestar të shtohet akoma më shumë. Për çdo rast refuzimi apo mosjustifikim të pasurisë nga këta persona që kanë lidhje interesi pasuror me zyrtarët, Inspektorati i Lartë do të përgatisë kallëzimet penale në ngarkim të tyre.

© 2011 ILDKPKI, Të gjithë të drejtat e rezervuara
Kjo faqe u mbështet nga: