Albanian English

20 Korrik 2011

 

FJALA E MBAJTUR NGA INSPEKTORI I PERGJITHSHEM I ILDKP,

Z. ADRIATIK LLALLA,  NE KOMISIONIN E LIGJEVE, KU U PREZANTUA RAPORTI VJETOR 2010

 

ILDKP, gjatë vitit 2010, ka vepruar në përmbushje të detyrimeve ligjore të përcaktuara në ligjet bazë që rregullojnë veprimtarinë e këtij institucioni, si edhe duke iu përmbajtur në mënyrë rigoroze rekomandimeve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të paraqitura në Rezolutën ”Për vlerësimin e punës së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për vitin 2009”.

ILDKP i është referuar gjithashtu edhe rekomandimeve të Komisionit Evropian, i cili në Progres-Raportin për Shqipërinë, të publikuar në muajin Nëntor 2010, shprehet: “ILDKP ka filluar të prodhojë rezultate të kënaqshme. Megjithatë, është domosdoshmëri forcimi i ligjit dhe bashkëpunimi me prokurorinë për një analizë më të plotë në investigimin e pasurive të deklaruara”.

  • METODOLOGJIA

Në aktivitetin e tij profesional, Inspektorati i Lartë gjatë vitit 2010 ka pasur prioritet të tij parandalimin dhe shmangien e konfliktit të interesave në administratën publike. Në këtë drejtim, ILDKP është angazhuar për forcimin e kapaciteteve institucionale, nëpërmjet seminareve trajnuese me zyrtarë të administratës qendrore e lokale në qarqet kryesore të Shqipërisë. Në bashkëpunim me organizmat ndërkombëtarë, USAID e OSBE, ILDKP ka trajnuar mbi 600 zyrtarë, pjesa më e madhe e të cilëve janë punonjës të disa ministrive qëndrore. Inspektorati i Lartë, në çdo kohë ka treguar gatishmëri për t’i ofruar asistencë ligjore zyrtarëve të ndryshëm për parandalimin dhe shmangien e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.

Trajtimi dhe parandalimi i konfliktit të interesave

Rezultatet janë pozitive; për vitin 2010, janë dhënë interpretime për trajtim dhe zgjidhje të rasteve konkrete, në 195 raste të dyshuara si në konflikt interesi. Krahas rolit parandalues, Inspektorati i Lartë ka ushtruar dhe kompetencat e tij ndëshkuese. Gjatë vitit 2010, ILDKP ka aplikuar masën administrative “gjobë” për 23 zyrtarë, të cilët janë gjendur në kushtet e konfliktit të interesave, ndër të cilët në ish-ministrës, zyrtarë të pushtetit vendor e të administratës tatimore e doganore.

Roli i Autoriteteve Përgjegjëse

Trajnimi i zyrtarëve dhe Autoriteteve Përgjegjëse ka rritur në mënyrë të ndjeshme kapacitetet e vetë institucioneve për evidentimin dhe parandalimin e konfliktit të interesave. Vetëm Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në bashkëpunim të ngushtë me Inspektoratin e Lartë, ka evidentuar, parandaluar dhe zgjidhur rreth 120 raste të konfliktit të interesave në administratën e këtij institucioni. Gjithashtu, institucione të tjera kanë zgjidhur disa raste me konflikt interesi. Institucione të nivelit qendror e lokal kanë rritur ndjeshmërinë e tyre përsa i përket shmangies së konfliktit të interesave. Megjithatë, numri i rasteve të referuara për shmangie dhe zgjidhje të konfliktit të interesave është larg pritshmërisë së kërkuar nga opinioni publik.

Asistenca teknike për zyrtarët

Stafi i ILDKP ka qenë i angazhuar edhe në ofrimin e asistencës teknike e ligjore për mënyrën e plotësimit të deklaratës të interesave private, si edhe në ndërgjegjësimin e subjekteve për respektimin e afateve ligjore për dorëzimin e këtij dokumenti zyrtar. Si rrjedhojë, në vitin 2010 është vënë re një rënie në rreth 70%, në krahasim me një vit më parë, të zyrtarëve që kanë pasur probleme teknike në plotësimin e deklaratave. Gjatë vitit raportues, ILDKP ka gjobitur 46 zyrtarë për vonesa në deklarim.

Mekanizmat kontrollues

Inspektorati i Lartë,  ka shtuar ndjeshëm aplikimin e hetimit në terren të pasurive të zyrtarëve të ndryshëm, si një ndër masat për zbulimin e pasurive të zyrtarëve, për të cilat ka dyshime të arsyeshme se janë krijuar si pasojë e veprimeve abuzive dhe korruptive. Kjo masë është një ndër më të rëndësishmet që po aplikon Inspektorati i Lartë dhe, bazuar në informacionin që mblidhet, po jep rezultate konkrete.

Bashkëpunimi i brendshëm

Inspektorati i Lartë, për të forcuar rolin parandalues ndaj korrupsionit,  ka vijuar bashkëpunimin e ngushtë me institucione të tjera publike e me organizma joqeveritare. Më konkretisht, gjatë vitit 2010, institucioni ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me Zyrën e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale; me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, si edhe me Departamentin e Brendshëm Antikorrupsion të Këshillit të Ministrave. 

Gjatë vitit 2010, Inspektorati i Lartë është fokusuar në bashkëpunim konkret dhe rigoroz me Njësinë e Përbashkët Task-Force kundër korrupsionit pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe me institucione të tjera.

Pavarësisht nismave të ndërmarra nga Inspektorati i Lartë lidhur me përmirësimin e teknikave hetuese, edhe gjatë vitit 2010, në praktikën institucionale është konstatuar që në deklarimet periodike të subjektëve deklarues, pasqyrohen të ardhura në rrugë joformale, nëpërmjet personave të lidhur, si psh, dhurata në vlerat të konsiderueshme, huamarrje apo huadhënie në rrugë informale, etj.

Verifikimi për vërtetësinë e burimit të krijimit të këtyre të ardhurave paraqet si domosdoshmëri administrimin e deklarimit të vetë personave të lidhur me zyrtarin. Aplikimi i këtij detyrimi ligjor është përmbushur nga ana e institucionit dhe kjo vihet re në rritjen e numrit të deklarimeve me kërkesë, krahasuar me vitin e kaluar. Por, ky mekanizëm nuk mund të aplikohet në mënyrë të plotë nga ana e Inspektoratit të Lartë, pasi, për personat e lidhur me zyrtarin që refuzojnë të bëjnë deklarimin e interesave private, nuk ka asnjë sanksion në Kodin Penal. Kjo ka ndikuar që në disa raste hetimi, sidomos në ato për të cilat ka pasur një ndjeshmëri të lartë edhe në opinionin publik, Inspektorati i Lartë nuk ka arritur të japë konkluzione të plota. Për këto raste refuzimi, ILDKP ka aplikuar të vetmin mjet ligjor që ka në dispozicion, vendosjen në 3 raste të masës administrative “gjobë”, e cila është në vlerë të vogël dhe lehtësisht e përballueshme nga personat e lidhur me subjektet që refuzojnë të deklarojnë interesat private në ILDKP.

Për përmirësimin e hetimit në këtë drejtim, por edhe për problematika të tjera që janë konstatuar gjatë procesit të investigimit, Inspektorati i Lartë ka paraqitur prej disa kohësh propozimin për amendimin e dy ligjeve mbi të cilët funksionon, si edhe të nenit 257/a të Kodit Penal, ku të përcaktohen sanksione penale për personat e lidhur me zyrtarin që refuzojnë të deklarojnë pasurinë.

Forcimi i kapaciteteve investiguese

Gjatë vitit 2010, sërish Inspektorati i Lartë ka hasur në disa vështirësi të teknikës ligjore, të cilat kanë nevojë për përmirësim. ILDKP ka paraqitur projekt-amendimet përkatëse, me qëllim forcimin e rolit parandalues, kontrollues dhe ndëshkues të institucionit. Nëpërmjet amendimeve, synohet saktësimi në secilin ligj të detyrimeve konkrete, përgjegjësitë, mjetet e procedurat ligjore për zbatimin e tyre në praktikë si dhe sanksionet për shkelje të caktuara, duke shmangur referimet e tepërta dhe duke i bërë të dy ligjet  më të plotë, efektive dhe më të saktë nga pikëpamja e teknikës legjislative. Këto propozim- amendime u janë paraqitur të plota strukturave përkatëse, si edhe gjenden më të detajuara në Raportin e ILDKP për vitin 2010, e cila i është dërguar zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë. 

KONTROLLI I INTERESAVE PRIVATE

Administrimi i deklaratave

 Vetëm për vitin 2010 pranë Inspektoratit të Lartë janë administruar, duke kaluar më pas fazat e tjera të kontrolleve një total prej 5302 deklarata të interesave private, të cilat kanë kaluar në faza të mëtejshme të kontrollit. Gjithashtu, nga deklaratat e interesave private të dorëzuara gjatë vitit 2010, kanë kaluar për kontroll aritmetik e logjik deri më 31.12.2010, 4320 deklarata.

Kontrolli i Plotë

Gjatë vitit 2010 kanë kaluar për kontroll të plotë, i cili përbën edhe fazën më të rëndësishme të investigimit që kryhen në ILDKP, 475 subjektë deklarues, ndër të cilët edhe zyrtarët më të lartë të Republikës së Shqipërisë, bazuar në përcaktimet e nenit 17/2 të ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave….”.

Hetimi administrativ

Bazuar në nenin 18 të ligjit nr. 9367, dt. 7.4.2005, në vitin 2010 është kryer procesi i hetimit administrativ për 9 subjekte, një procedurë e cila plotëson në mënyrë më shteruese kontrollin e plotë.

Në përfundim të proceseve kontrolluese, gjatë vitit 2010, ILDKP ka kallëzuar penalisht 18 subjekte të niveleve të ndryshme për veprën penale të parashikuar në nenin 257/a të Kodit Penal, “Refuzimi per deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.

Bashkëpunimi me organet e drejtësisë

Gjatë vitit 2010, sërish Inspektorati i Lartë konstaton se çështjet e referuara nga institucioni në organet e drejtësisë nuk finalizohen me sanksione penale nga organet e drejtësisë. Krahasuar me vitin 2009, është vënë re një ndërgjegjësim në rritje nga ana e prokurorisë në trajtimin e kallëzimeve penale. Megjithatë, sërish ka çështje të cilat, në gjykimin e Inspektoratit të Lartë, janë pushuar nga organi i Prokurorisë pa argumentime ligjore bindëse.

Bazuar në një komunikim shkresor me organin e Prokurorisë, për 18 raste të kallëzimeve penale nga ana e Inspektoratit të Lartë gjatë vitit 2010, prezantohet kjo situatë:

-          Për 7 kallëzime penale çështjet janë dërguar për gjykim

-          Për 7 kallëzime penale është pushuar procedimi penale

-          Për 4 raste të tjera, vazhdojnë ende hetimet

Nga ana tjetër, problem permanent mbetet trajtimi në sistemin gjyqësor, i kallëzimeve penale të iniciuara nga Inspektorati i Lartë dhe rasteve të shqyrtimit të ankimeve të zyrtarëve të ndëshkuar për shkelje të ligjit të parandalimit të konfliktit të interesave. Kjo situatë ndikon negativisht në performancën institucionale, si edhe në ndërgjegjësimin e zyrtarëve për respektimin e kërkesave ligjore. Këtë shqetësim e kemi prezantuar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe, nëpërmjet bashkëpunimit dypalësh, synojmë goditjen me forcën e ligjit për veprimet korruptive në administratën publike.  

Gjithashtu, mbetet problem marrja e masave disiplinore nga institucionet publike, pas njoftimit nga ana e Inspektoratit të Lartë, lidhur me shkeljet e konstatuara të ligjit të deklarimit të pasurive apo parandalimit të konfliktit të interesave, nga ana zyrtarëve publikë.

  • TRANSPARENCA INSTITUCIONALE

Inspektorati i Lartë i ka kushtuar rëndësi transparencës institucionale, duke synuar në këtë mënyrë vendosjen e marrëdhënieve të drejtëpërdrejta dhe korrekte me aktorë të ndryshëm të shoqërisë shqiptare. Transparenca institucionale është realizuar nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, si “ILDKP, me dyer të hapura”, që shënon një nivel të lartë transparencë. Po ashtu, përmes Programit të Shtetit Ligjor dhe OSBE janë mundësuar organizimi i tre tryezave të rrumbullaktë me median dhe shoqërinë civile në rrethe, si edhe aktiviteti ”ILDKP dhe roli i medias në luftën kundër korrupsionit”. Gjatë këtij takimi, Inspektorati i Lartë lançoi projektin e tij për bashkëpunim me median me qëllim investigimin në terren të pasurive të zyrtarëve. Niveli i lartë i transparencës dëshmuar nga Inspektorati ka shtuar ndjeshëm bashkëpunimin me faktorët e medias e shoqërisë civile, si edhe me publikun e gjerë. Inspektorati i Lartë merr një numër të konsiderueshëm denoncimesh për korrupsion dhe fshehje pasurie në numrin pa pagesë 0800-9999.

  • BASHKËPUNIMI  NDËRKOMBËTAR         

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka realizuar gjatë vitit 2010 një arritje të rëndësishme në planin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në muajin Maj 2010, institucioni u zgjodh drejtuesi i parë i Rrjetit të sapoformuar të Agjencive Rajonale Kundër Korrupsionit (RAI), një organizëm i përbërë nga të gjithë institucionet homologe të ILDKP në Europën Juglindore dhe me mbështetjen e Këshillit të Evropës. Përfaqësuesit e institucioneve anti-korrupsion të 12 vendeve anëtare të Rrjetit zgjodhën Inspektoratin e Lartë si drejtuesin e këtij forumi ndërkombëtar, duke vlerësuar angazhimin e deritanishëm të institucionit në parandalimin e konfliktit të interesave.  Inspektorati i Lartë ka marrë pjesë, gjithashtu, edhe në disa takime të rëndësishme ndërkombëtare me temë luftën kundër korrupsionit.

  • PERFORMANCA FINANCIARE

Në zbatim të buxhetit të shtetit të vitit 2010, të rishikuar, ILDKP është mbështetur në nevojat me të domosdoshme  institucionale, në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i ligjeve organike. Inspektoratit të Lartë, në mbështetje të ligjit “Për buxhetin e shtetit për vitin 2010”, si dhe në mbështetje të buxhetit të rishikuar, i është akorduar një fond buxhetor prej 86 milione e 980 mijë lekë. Vlen për t’u theksuar se gjatë vitit 2010, Inspektorati i Lartë iu nënshtruar kontrollit periodik nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në përfundim të raportit, u konstatua se Inspektorati i Lartë ka zbatuar me korrektësi maksimale kërkesat ligjore dhe financiare për menaxhimin e fondeve të caktuar nga buxheti i shtetit.

Ju faleminderit!

© 2011 ILDKPKI, Të gjithë të drejtat e rezervuara
Kjo faqe u mbështet nga: