Albanian English

21 Korrik 2011

Njoftim për median 

Kuvendi i Shqipërisë vlerëson pozitivisht aktivitetin e ILDKP për vitin 2010

 

Kuvendi i Shqipërisë ka vlerësuar pozitivisht aktivitetin dhe arritjet e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në luftën për parandalimin dhe goditjen e korrupsionit.

Në seancën plenarë të ditës së Enjte, 21.07.2011, deputetët miratuan “Rezolutën për Vlerësimin e Punës së ILDKP për vitin 2010”, në të cilën u konstatua se institucioni:

-           Eshtë përpjekur për të forcuar sistemet që nxisin transparencën dhe që parandalojnë konfliktet e interesave dhe aferat korruptive ;

-           Ka dëshmuar integritet dhe performancë institucionale në rritje duke treguar vendosmëri dhe paanësi ne ushtrimin e kompetencave ligjore për dhënien e masave administrative dhe dërgimin e çështjeve në organin e akuzës, në zbatim të ligjit, për zyrtarët që kanë refuzuar deklarimin e interesave private, kanë fshehur pasurinë apo kanë bërë deklarim të rremë, si dhe për shkelje të ligjit të parandalimit të konfliktit të interesave;

-           Ka promovuar veprimtarinë e vet ndërgjegjësuese nëpërmjet nxjerrjes së metodikave dhe manualeve të ushtrimit të kontrollit e funksionit të drejtëpërdrejtë  parandalues ;

-           Ka forcuar bashkëpunimin e brendshëm ndërinstitucional me struktura të specializuara e përgjegjëse në luftën kundër korrupsionit e krimit ekonomik;

-           Ka shënuar një hap mjaft të rëndësishëm në planin ndërkombëtar duke u bërë lider në drejtimin e Rrjetit të Agjensive Rajonale kundër Korrupsionit , organizëm i krijuar me intitucione homologe në 12 vende të Evropës juglindore;

-           Ka vazhduar trajnimin me subjektet e parashikuara në ligj, si dhe ka zhvilluar aktivitete të hapura me synim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me median dhe shoqërinë civile e publikun e gjerë në lidhje me informacionet dhe denoncimet për shkelje të ligjit të konfliktit të interesave dhe deklarimit të pasurive.

Ndërsa për periudhën në vijim, Kuvendi i Shqipërisë kërkon nga Inspektorati i Lartë:

-           Të forcojë instrumentet e investigimit administrativ, sidomos në sektorë të jetës publike, ku fenomeni i korrupsionit është më i përhapur dhe besimi i publikut më i ulët;

-           Të rrisë performancën në drejtim të hetimit efiçent për të gjithë zyrtarët e lartë publikë;

-           Të ndjekë me vendosmëri të gjitha rastet e kallëzimeve penale të ndërmarra nga ILDKP-ja, në të gjitha shkallët e hetimit gjyqësor;

-           të zgjerojë dhe të nxisë më tej klimën bashkëpunuese me organizatat, institucionet financiare publike e jopublike, median, shoqërinë civile, komunitetin e biznesit , Aluiznin, ZRPP etj;

-           Të jetë më proaktive dhe të iniciojë takime dhe analiza me drejtues dhe prokurorë të Njësive të Përbashkëta Hetimore, me qëllim evidentimin e problemeve dhe ofrimin e  zgjidhjeve, në  intensifikim të veprimeve në funksion të rritjes së cilësisë së hetimeve të çështjeve konkrete, marrjes në konsideratë të të veprimeve verifikuese të ILDKP nga organi i akuzës;

-           Të aplikojë programe inspektimi pranë autoriteteve përgjegjëse me synimin e rritjes së ndërgjegjësimit dhe përgjegjshmërisë kundrejt detyrimeve ligjore të autoriteteve përgjegjëse;

-           Të rrisë kapacitetin investigues në bashkëpunim me strukturat homologe jashtë vendit për zbulimin e rasteve të fshehjeve të pasurisë jashtë vendit;

-           Të përmirësojë bashkëpunimin ndërinstitucional me shumë nëpërmjet shkëmbimin elektronik të të dhënave që institucionet posedojnë në funksion të kryerjes së një hetimi të plotë e të gjithanshëm;

-           Të eksplorojë praktikat e vendeve të tjera për të vënë në praktikën e saj metodika të tjera efikase në legjislacionin e saj. 

 

Albi SERANI

_________________________

PËRGJEGJËS PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN

© 2011 ILDKPKI, Të gjithë të drejtat e rezervuara
Kjo faqe u mbështet nga: