Albanian English

21 Tetor 2011

ILDKP nis hetimin administrativ për subjektin Genc Pollo 

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka nisur procedurën e hetimit administrativ për subjektin Genc Pollo, me funksion Ministër i Inovacionit dhe Teknologjisë së Komunikimit, pas dyshimeve të ngritura në diskutimet në Kuvendin e Shqipërisë për pasuri të padeklaruara nga ana e tij dhe të regjistruara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. 

ILDKP, pasi u njoh me deklarimet e deputetit Taulant Balla në seancën plenare të datës 20.10.2011, ka vendosur kryesisht të zhvillojë hetim të plotë për interesat private të subjektit Pollo, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. 

Në këtë hetim administrativ, ILDKP do të kërkojë edhe asistencën e misionit policor ndërkombëtar PAMECA, ekspertë të të cilit janë atashuar pranë institucionit, me qëllim krijimin e lehtësirave për një hetim më të plotë jashtë territorit të Shqipërisë. 

Nga ana tjetër, Inspektorati i Lartë i ka dërguar zyrtarisht kërkesë deputetit Taulant Balla për të dhënë sqarime më të detajuara lidhur me informacionet që ka përsa i përket kësaj çështjeve. 

Albi SERANI 

_________________________  

 PËRGJEGJËS PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN 

  

  

 

 

 

© Copyright 2011 ILDKP, All Right Reserved