Albanian English

Udhëzimi dhe formulari i deklarimit për kandidatët në institucionet e sistemit të drejtësisë

Udhëzues: Mbi plotësimin e dokumentit zyrtar “Deklaratë e pasurisë dhe interesave private  e kandidatit për pozicione të ndryshme në intitucionet e sistemit të drejtesisë”.

Kandidatët për pozicione të ndryshme në institucionet e sistemit të drejtësisë

1. Mbartin detyrimin për deklarimin e pasurisë dhe të interesave privatë:

a) kandidatët që shprehin interesin për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon qeverisjen e sistemit të drejtësisë;

b) kandidatët që shprehin interesin për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe kandidatët jomagjistratë për pozicionin e inspektorit në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon qeverisjen e sistemit të drejtësisë;

c) kandidatët për pranim në formimin fillestar të Shkollës së Magjistraturës, si dhe i diplomuari që kandidon për t’u emëruar magjistrat, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve;

ç) kandidatët për gjyqtarë dhe nëpunës civilë gjyqësorë në gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe familjarët e afërm të tyre, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar;

d) kandidatët për prokuror, oficer hetimi, personel administrativ i Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe familjarët e afërm të tyre, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar;

dh) kandidatët, të cilët, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, kërkojnë ngritje në detyrë në shkallë më të larta ose të specializuara;

e) kandidatët për anëtar të Gjykatës së Lartë nga radhët e juristëve të spikatur, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve;

ë) kandidatët për kryetarë të gjykatës ose prokurorive të tjera, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve;

f) çdo person tjetër që ka detyrimin të deklarojë para kandidimit, sipas legjislacionit në fuqi.

2. Kandidatët për pozicionet e përmendura në pikën 1, të këtij neni, që janë subjekte që mbartin detyrimin për deklarimin e interesave privatë, sipas parashikimeve të nenit 3, të këtij ligji, i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë. Nëse gjatë 180 ditëve para paraqitjes së kërkesës, kandidati është kontrolluar nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave dhe kontrolli nuk ka rezultuar në disfavor të tij, atëherë kontrolli konsiderohet i kryer.

3. Inspektorati i Lartë kryen kontrollin e plotë për verifikimin e vërtetësisë dhe të saktësisë së të dhënave që përmbahen në deklaratën e personave të përmendur në pikën 1, të këtij neni, brenda 2 muajve nga paraqitja e deklaratës, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në ligj. Në përfundim të verifikimit, Inspektori i Përgjithshëm u dërgon menjëherë institucioneve përkatëse raportin e verifikimit.

Deklaratë e pasurisë dhe interesave private e kandidatit për pozicione të ndryshme në institucionet e sistemit të drejtësisë

© 2011 ILDKPKI, Të gjithë të drejtat e rezervuara
Kjo faqe u mbështet nga: