Albanian English

Ligji nr. 9049

 

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KUVENDI

L I G J

Nr.9049, datë 10.4.2003

PËR DEKLARIMIN DHE KONTROLLIN E PASURIVE, TË DETYRIMEVE FINANCIARE TË TË ZGJEDHURVE DHE TË DISA NËPUNËSVE PUBLIKË

 I ndryshuar me ligjin nr.9367, dt.7.4.2005, me ligjin nr.9475, dt.9.2.2006 dhe me ligjin nr. 9529, dt.11.5.2006

Në mbështetje të neneve 78, 81 pika 1 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Qellimi


Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë, të legjitimitetit të burimeve të krijimit të saj, detyrimeve financiare për të zgjedhurit, nëpunësit publikë, për familjarët e tyre dhe për personat e lidhur me ta.

Neni 2 (Shfuqizohet pika 4)

Perkufizime

Përveçse kur përcaktohet ndryshe, në ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Aksion” është titull pronësie, që përfaqëson njërën nga pjesët në të cilat është ndarë kapitali i një shoqërie dhe që i jep të drejtën zotëruesit të saj të marrë pjesë në fitime.

2. “Likuiditete” janë mjetet monetare, të vendosura në cash, llogari rrjedhëse, depozita, me dhe pa afat, bono thesari, obligacione dhe huadhënie.

3. “Pasuri e luajtshme e regjistruar” është çdo pasuri që nuk përfshihet në pasuritë e paluajtshme, e detyrueshme për t’u regjistruar në regjistrat publikë.

4. (Ref. Neni 3, pika 11 të Ligjit  Nr.9367,  datë 07.04.2005).

5. “Pjesë e kapitalit” është pjesa që zotëron një ortak në kapitalin e shoqërisë.

6. “Transanksion” është veprimi me anë të të cilit sigurohet kalimi i të drejtave dhe detyrimeve pronësore nga njëri pronar tek tjetri.

Neni 3

Subjektet qe mbartin detyrimet per deklarimin


1. Mbartin detyrimin për deklarim në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive:

a) Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit, Kryeministri, Zëvendëskryeministri, ministrat e zëvendësministrat;

b) nëpunësit civilë të nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues, sipas përcaktimit të nenit 11 të ligjit nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil” ;

c) prefektët, kryetarët e këshillave të qarqeve, kryetarët e bashkive, të njësive             bashkiake dhe të komunave;

ç) drejtorët e drejtorive dhe komandantët e Forcave të Armatosura në Ministrinë e       Mbrojtjes dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror;

d) prokurorët, gjyqtarët dhe përmbaruesit e të gjitha niveleve;

dh) drejtuesit e institucioneve të pavarura publike;

e)drejtorët e përgjithshëm, drejtorët e drejtorive dhe shefat e sektorëve, (komisariateve) në qendër, rrethe e rajone, të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe asaj të Doganave;

f) drejtuesit e të gjitha niveleve të strukturave të kthimit e kompensimit të pronave, të privatizimit dhe regjistrimit të pasurisë;

g) drejtuesit e të gjitha niveleve të KRRT-ve;

gj) zyrtarët që zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi, Presidenti i Republikës, Kryeministri, ministrat ose personat e barazuar me ta;

h) drejtuesit e shoqërive anonime me pjesëmarrje të kapitalit shtetëror mbi 50 për qind dhe mesatarisht me më shumë se 50 punëtorë.

Kuvendi, me propozimin e Inspektorit të Përgjithshëm, vendos detyrimin për deklarim të pasurisë për funksione të tjera të paparashikuara në këtë ligj.

Neni 4

Afati dhe objekti i deklarimit

Subjektet e përcaktuara në nenin 3 të këtij ligji detyrohen të deklarojnë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive brenda datës 31 mars të çdo viti, gjendjen deri më 31 dhjetor të vitit paraardhës të pasurive, burimet e krijimit të tyre, si dhe të detyrimeve financiare si më poshtë:

a) pasuritë e paluajtshme dhe të drejtat reale mbi to;

b) pasuritë e luajtshme, të regjistrueshme në regjistrat publikë;

c) sendet me vlerë të veçantë mbi 5 000 dollarë amerikanë;

ç) vlerën e aksioneve, të letrave me vlerë dhe pjesët e kapitalit në zotërim;

d) vlerën e likuiditeteve, gjendje në cash, në llogari rrjedhëse, në depozitë, në bono thesari dhe në huadhënie, në lekë ose në valutë të huaj;

dh) detyrimet financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë, të shprehura në lekë ose në valutë të huaj;

e) të ardhurat personale për vitin, nga paga ose pjesëmarrja në borde, komisione ose çdo veprimtari tjetër që sjell të ardhura personale;

ë) licencat dhe patentat që sjellin të ardhura.

Neni 5

Refuzimi per deklarim

1. Refuzimi për deklarim sjell humbjen e funksionit dhe ndëshkimin në përputhje me Kodin Penal. Inspektori i Përgjithshëm, brenda 30 ditëve, i dërgon organit përgjegjës njoftimin e motivuar për largimin nga puna të personit që refuzon të deklarojë.

Organi përgjegjës, brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit, është i detyruar të marrë masa për largimin nga puna të punonjësit që ka refuzuar deklarimin.

2. Kur deklarimi refuzohet nga personat e zgjedhur ose nga ata me imunitet, Inspektori i Përgjithshëm vë në dijeni Kuvendin dhe, kur është rasti, edhe organin epror të personit.

Në të gjitha rastet e refuzimit të deklarimit, me kalimin e 30 ditëve nga njoftimi i organit përgjegjës, Inspektori i Përgjithshëm detyrohet t’i bëjë publike rastet e refuzimit të deklarimit.

Neni 6 (shfuqizohet)

Deklarimi i parë


Neni 7

Deklarimi me kërkesë


Inspektori i Përgjithshëm ka të drejtë të kërkojë deklarimin e pasurive dhe burimet e krijimit të tyre, sipas kërkesave të këtij ligji, si dhe të urdhërojë kontrollin për saktësinë e këtyre deklarimeve edhe për personat fizikë e juridikë, kur, nga verifikimet e kryera, rezulton se këta të fundit janë persona të lidhur me subjektet që mbartin detyrimin për deklarim.

Neni 8 (shfuqizohet)

Deklarimi pas largimit nga funksioni


(Ref. Neni 15, pika 6 të Ligjit Nr.9367, datë 07.04.2005).

Neni 9

Deklarimi para fillimit te punes


Të gjitha subjektet e përcaktuara në nenin 3, që mbartin detyrimin për deklarim, duhet të deklarojnë para fillimit të punës të gjitha pasuritë e akumuluara, detyrimet financiare dhe burimet e origjinës së tyre.

Neni 10 (Shfuqizohet)

Autorizimi i kontrollit

( Ref. Neni 10, pika 2 dhe neni 14, pika 5 te Ligjit Nr.9367, date 07.04.2005).


KREU II

ORGANET, KOMPETENCAT DHE STRUKTURA

Neni 11

Inspektori i Përgjithshëm


1. Organi përgjegjës për kontrollin e deklarimit të pasurive është Inspektori i Përgjithshëm.

2. Inspektori i Përgjithshëm zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit, ndërmjet dy kandidaturave, për një mandat 5-vjeçar.

3. Inspektori i Përgjithshëm gëzon pagën dhe përfitimet e anëtarit të Gjykatës së Lartë.

4. Inspektori i Përgjithshëm bën deklarimin e parë të pasurisë brenda 30 ditëve nga zgjedhja e tij dhe çdo vit, sipas nenit 4 të këtij ligji, pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

(Pika 3 shfuqizohet në bazë të nenit 14 të Ligjit Nr.9584, dt.17.7.2006)


Neni 12

Kushtet për t’u zgjedhur


Inspektor i Përgjithshëm mund të zgjidhet kandidati që plotëson kushtet e mëposhtme:

a) të jetë shtetas shqiptar;

b) të ketë arsimin e lartë, si ekonomist financier ose jurist;

c) të ketë vjetërsi pune në profesion jo më pak se 10 vjet dhe moshë mbi 35 vjeç;

ç) të mos jetë i dënuar për vepra penale;

d) të mos jetë larguar nga puna ose nga shërbimi civil me masë disiplinore.

Neni 13

Papajtueshmëritë

Funksioni i Inspektorit të Përgjithshëm është i papajtueshëm me:

a) çdo funksion tjetër publik;

b) çdo veprimtari tjetër fitimprurëse, me përjashtim të mësimdhënies;

c) anëtarësimin në partitë politike dhe pjesëmarrjen në veprimtaritë e tyre.

Neni 14

Mbarimi i mandatit

1. Mandati i Inspektorit të Përgjithshëm mbaron kur:

a) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi;

b) nuk paraqitet në detyrë për më shumë se 3 muaj;

c) jep dorëheqjen;

ç) me vendim gjyqësor të formës së prerë deklarohet i paaftë për të vepruar.

2. Inspektori i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga Kuvendi me kërkesë të jo më pak se 1/3 të të gjithë anëtarëve:

a) për shkelje të dispozitave të këtij ligji;

b) kur kryen veprimtari që krijon konflikt interesash;

c) kur zbulohen raste të papajtueshmërisë së funksionit të tij.

3. Në rast se vendi i Inspektorit të Përgjithshëm mbetet vakant, Presidenti i Republikës, brenda 15 ditëve, i propozon Kuvendit dy kandidatura për Inspektor të Përgjithshëm. Kuvendi zgjedh Inspektorin e Përgjithshëm brenda 15 ditëve nga paraqitja e kandidaturave.

Neni 15

Kompetencat e Inspektorit të Përgjithshëm

Inspektori i Përgjithshëm ka këto kompetenca:

a) drejton Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, për të kontrolluar deklarimin dhe legjitimitetin e burimeve të pasurive të deklaruara nga subjektet e parashikuara nga ky ligj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë;

b) njofton, rast pas rasti, Presidentin, Kuvendin, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Këshillin e Ministrave, Kryeministrin, ministrat dhe drejtuesit e institucioneve qendrore për parregullsitë e vërtetuara në deklarimin e pasurisë nga punonjësit në juridiksionin e tyre.

Neni 16

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive,

struktura dhe buxheti

1. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, që më poshtë do të quhet “Inspektorati i Lartë”, është person juridik publik, i cili, nën përgjegjësinë e Inspektorit të Përgjithshëm, administron deklarimin e pasurisë, të detyrimeve financiare dhe kontrollin e këtij deklarimi, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj.

2. Struktura organizative e Inspektoratit të Lartë caktohet nga Inspektori i Përgjithshëm.

3. Inspektorët e Inspektoratit të Lartë gëzojnë statusin e nëpunësit civil.

4. Inspektorati i Lartë  ka buxhetin e vet të pavarur, të caktuar nga Kuvendi, i cili vendos numrin dhe pagat e punonjësve të këtij Inspektorati.

(Pika 2 shfuqizohet në bazë të nenit 14 të Ligjit Nr.9584, dt.17.7.2006)


Neni 17

Kompetencat e Inspektoratit të Lartë

Inspektorati i Lartë ka këto kompetenca:

a) ushtron kontrollin e drejtpërdrejtë të deklarimeve në emërtesë të tij;

b) mbledh të dhëna, kryen hetime dhe kërkime administrative rreth deklarimeve të personave që kanë detyrimin për deklarim, sipas këtij ligji, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative;

ç) bashkëpunon me organet e auditimit dhe me strukturat e tjera përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik;

Neni 18  (Shfuqizohet)

Inspektoratet e ulëta

(Ref. Neni 41, pika 2 të Ligjit Nr.9367, date 07.04.2005).


Neni 19  (Shfuqizohet)

Kompentencat e inspektoratit të ulët


Neni 20  (Shfuqizohet)

Përbërja e inspektoratit të ulët

(Ref. Neni 41, pika 2 dhe neni 42, pika 3 të Ligjit Nr.9367, date 07.04.2005).


KREU III

ORGANIZIMI I DEKLARIMIT DHE KONTROLLI


Neni 21

Deklarimi

Deklarimi i pasurive, i burimeve të tyre, i detyrimeve financiare bëhet sipas kërkesave të përcaktuara në këtë ligj dhe në formën e përcaktuar nga Inspektori i Përgjithshëm. Deklarimi përfshin pasurinë e subjektit dhe të familjes së tij (bashkëshortit/es dhe fëmijëve në moshë madhore), burimet e krijimit dhe detyrimet financiare të subjektit.

Deklarimi duhet të përmbajë edhe faktin nëse deklaruesi/sja ka ose jo persona të tjerë të lidhur. Deklaruesit, përpara deklarimit, duhet t’i jepen të gjitha këshillimet e nevojshme për plotësimin e deklaratës dhe t’ i bëhen të njohura rrjedhimet që mbart deklarimi i rremë.

Neni 22

Deklarimi i pjesëtarëve të familjes

Kur pasuria e pjesëtarëve të familjes është e ndarë dhe e regjistruar si e tillë në organet e administratës shtetërore ose gjyqësore, deklarimi paraqitet veçmas nga çdo anëtar i familjes, me pasuri të regjistruar në emër të vet dhe i bashkëlidhet deklaratës së personit që ka detyrimin për deklarim.

Neni 23  (Shfuqizohet)

Paraqitja e deklarimit dhe afate


Neni 24

Përpunimi paraprak


Inspektorati i Lartë bën përpunimin paraprak të deklarimeve, i cili përfshin juridiksionin, rregullsinë e plotësimit të deklaratës dhe të anekseve, dokumentet justifikuese dhe ligjshmërinë e tyre.

Kur nga përpunimi paraprak vërtetohen gabime materiale ose plotësime të gabuara, Inspektorati njofton subjektin që ka paraqitur këto deklarime, i cili, brenda 15 ditëve nga marrja e njoftimit, është i detyruar t’ i ndreqë ato.

Neni 25

Llojet e kontrollit

1. Kontrolli i deklarimeve përfshin kontrollet, aritmetik e logjik, dhe verifikimin e miratimin e të dhënave të deklaratës (kontroll i plotë).

Kontrollet, aritmetik dhe logjik, kryhen për çdo deklarim për të vërtetuar saktësinë e vlerësimit të pasurisë së deklaruar, saktësinë e burimeve financiare të deklaruara dhe mjaftueshmërinë e mbulimit të pasurisë nga burimet e deklaruara.

2 ( Ref. Neni 17 dhe 18 të Ligjit Nr.9367, date 07.04.2005).

3. Metodikat dhe manualet e ushtrimit të kontrollit miratohen nga Inspektori i Përgjithshëm.

Neni 26

Detyrimi për të dhënat

Për kryerjen e kontrollit dhe verifikimin e të dhënave të deklaratës, Inspektorati i Lartë ka të drejtë të shfrytëzojë të dhënat e nevojshme në të gjithë aparatin shtetëror e publik dhe në personat juridikë publikë e privatë.

Me kërkesë të Inspektorit të Përgjithshëm bankat e nivelit të dytë dhe subjektet e tjera, që ushtrojnë veprimtari bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë, detyrohen të japin të dhëna për depozitat, llogaritë dhe transanksionet e kryera nga personat që, sipas këtij ligji, kanë detyrimin për deklarim.

Subjektet e mësipërme janë të detyruara të vënë në dispozicion të gjitha të dhënat e kërkuara brenda 15 ditëve nga paraqitja e kërkesës me shkrim nga Inspektori i Përgjithshëm.


Neni 27

Korrigjimi i gabimeve në deklarim

Kur gjatë kontrollit zbulohet se deklarimet nuk janë të sakta ose burimet e deklaruara nuk identifikohen dhe nuk mbulojnë pasuritë e deklaruara, Inspektorati i Lartë thërret subjektin për të dhënë shpjegime të hollësishme dhe argumentet përkatëse, të cilat paraqiten kurdoherë me shkrim.

Neni 28 (shfuqizohet)

Pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme


Neni 29

Thirrja e ekspertëve

Inspektori i Përgjithshëm ka të drejtë të thërrasë ekspertë të pavarur, të licencuar, të fushave të ndryshme, për të bërë rivlerësimin e pasurive ose për çështje që këta çmojnë të arsyeshme.

Ekspertët janë të detyruar të ruajnë konfidencialitetin e të dhënave që sigurojnë gjatë ekspertimit dhe mbajnë përgjegjësi, sipas dispozitave të Kodit Penal, për ekspertim të rremë. Shpenzimet e ekspertëve përballohen nga buxheti i Inspektoratit të Lartë ose nga ministria apo institucioni, që ka kërkuar ekspertimin.

Neni 30

Dokumentimi i kontrollit

Për çdo deklaratë që i nënshtrohet kontrollit të Inspektoratit të Lartë plotësohet fleta e kontrollit, sipas mënyrës së përcaktuar nga Inspektori i Përgjithshëm, e cila nënshkruhet nga inspektori që ka ushtruar kontrollin.

Neni 31

Përmbajtja e të dhënave


Në bazë të fletëkontrolleve hartohen të dhënat, respektivisht për Inspektorin e Përgjithshëm ose për ministrin apo drejtuesin e institucionit qendror.

Të dhënat duhet të përmbajnë, në mënyrë të përmbledhur, identifikimin e deklaratave, që i janë nënshtruar kontrollit, faktet dhe parregullsitë e gjetura, si dhe propozimet për masa disiplinore e gjoba për kundërvajtjet dhe, kur është rasti, propozimet për kallëzime për ndjekje penale.

Neni 32

Pasuritë e fituara nga fshehja e detyrimeve fiskale

Kur pasuritë e fituara gjykohen se janë rrjedhojë e fshehjes së detyrimeve fiskale, Inspektori i Përgjithshëm njofton organet tatimore.

Neni 3

Ruajtja e dokumenteve


I gjithë dokumentacioni, që ka të bëjë me deklarimin dhe kontrollin e pasurive, arkivohet sipas rregullave dhe ruhet për një periudhë 10-vjeçare. Ky detyrim përfshin edhe dokumentacionin e deklarimit të pasurive, i cili u përket periudhave të mëparshme e që është gjendje në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 34

Publikimi

Të dhënat që përfitohen nga deklarimi sipas këtij ligji janë të lejueshme për publikun, në përputhje me ligjin nr.8503, datë 30.6.1999 “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”.

Neni 35  (Shfuqizohet)

Mbikëqyrja e inspektoratit të ulët

(Ref. Neni 42  pika “d”,  “dh” të Ligjit Nr.9367, date 07.04.2005).


Neni 36  (Shfuqizohet)

Ndreqja e parregullsive

Neni 37  (Shfuqizohet)

Masat disiplinore

(Ref. Neni 44  dhe 45 të Ligjit Nr.9367, date 07.04.2005).


Neni 38

Deklarimi i rremë

Deklaratat dhe të gjitha dokumentet që i shoqërojnë ato janë dokumente zyrtare. Paraqitja në to e të dhënave të rreme përbën vepër penale dhe dënohet sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 39

Raportimi

1. Inspektori i Përgjithshëm i raporton Kuvendit, jo më vonë se më 31 maj të çdo viti, për veprimtarinë e kryer në vitin pararendës, si dhe sa herë që thirret nga Kuvendi.

Inspektori i Përgjithshëm mund t’i kërkojë Kuvendit ta dëgjojë për çështje që ai i çmon të rëndësishme.

KREU IV

KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE


Neni 40

(Shfuqizohet)

(Ref. Neni 44 dhe 45 të Ligjit Nr.9367, date 07.04.2005).


Neni 41   (Shfuqizohet)

Ekzekutimi i gjobave


( Ref. Neni 44, pika 4 të Ligjit Nr.9367, date 07.04.2005).


KREU V

DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 42

Ligji nr.7903, datë 8.3.1995 “Për deklarimin e pasurive të të zgjedhurve dhe të disa drejtuesve e punonjësve të shërbimit publik” dhe çdo dispozitë tjetër, që vjen në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.

Neni 43

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.4893, datë 2.6.2006 të Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu.

 

© Copyright 2011 ILDKP, All Right Reserved