Ndihme per Zyrtaret
- Si te shmanget Konflikti
- Si te plotesohet Deklarata
- Afatet e Deklarimit
- Formulare Deklarimi
- Subjektet Deklarues
Raportet Vjetore
Dokumenta te ILDKP
Te tjera
Raport 2008
R A P O R T
Mbi veprimtarinë e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për periudhën janar - dhjetor 2008
E nderuar Zonja Kryetare !
Të nderuar Zotërinj Deputetë !
Zonja dhe Zotërinj !
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në punën e tij gjatë vitit 2008 ka vepruar në përmbushje të detyrimeve ligjore të përcaktuara në dy ligjet bazë që rregullojnë veprimtarinë e këtij institucioni, Ligji Nr.9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” dhe Ligji Nr.9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, si dhe duke iu përmbajtur në mënyre rigoroze rekomandimeve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të paraqitura në Rezolutën ”Për vlerësimin e punës së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për vitin 2007”, të cilat konsistojnë në :
- angazhimin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për zbatimin e plotë të legjislacionit për kontrollin e pasurisë, të detyrimeve financiare, si dhe për parandalimin e konfliktit të interesave, në lidhje me sanksionet e parashikuara në këto ligje,
- forcimin e aftësive investiguese të institucionit,
- rritjen e bashkëveprimit me institucionet e tjera e në mënyrë të veçantë me prokurorinë, për sa i përket ndjekjes së denoncimeve të bëra, me qëllim kryesor parandalimin e korrupsionit dhe krimit ekonomik,
- futjen në raportin vjetor të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për Kuvendin të vlerësimit për bashkëpunimin e vet me institucionet e tjera, që kanë detyrë ligjore të luftojnë krimin ekonomik,
- intensifikimin e punës njohëse dhe edukuese të subjekteve të deklarimit edhe nëpërmjet mediave, reklamave ose emisioneve të posaçme.
Zbatimi i legjislacionit
Inspektorati i Lartë, në zbatim të ligjit Nr.9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, gjatë periudhës janar-dhjetor 2008 ka synuar përmirësimin e teknikave dhe instrumentave në drejtim të evidentimit të rasteve të përfshirjes së interesave private të zyrtarëve në funksione publike dhe shmangies së tyre në një nga mënyrat e parashikuara në ligj, si dhe në zgjidhjen e konfliktit të interesit në një kohë sa më të shkurtër. Ndjekja e proçedurave apo kërkesave ligjore, domosdoshmërisht ka kërkuar dhe kërkon vazhdimësi të trajnimit të punonjësve të administratës publike, në nivel qendror e atë lokal. Për këtë qëllim Inspektorati i Lartë, ka realizuar disa seminare trajnuese, në bashkëpunim me Institutin e Trajnimit të Administratës Publike në respektim të Memorandumit të Bashkëpunimit të lidhur me këtë institucion. Problematikat e konstatuara gjatë seancave trajnuese evidentuan kërkesa nga vetë institucionet qëndrore dhe vendore për vazhdimësinë e këtij procesi trajnues me të gjithë zyrtarët, të cilët gjatë ushtrimit të funksionit publik, duhet të parandalojnë konfliktin e interesave private. Në përmbushje të këtyre kërkesave dhe detyrimeve ligjore është bashkëpunuar dhe me organizmat ndërkombëtare.
Kështu, gjatë periudhës janar – dhjetor 2008 janë organizuar trajnime dhe takime pune me qëllim forcimin e kapaciteteve investiguese. Aktivitete të tilla janë realizuar në bashkëpunim më Institutin e Trajnimit të Administratës Publike, si dhe me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë OSBE dhe USAID :
- Gjatë muajit Janar, ILDKP organizoi takime pune për parandalimin e konfliktit të interesave me 45 Autoritete Përgjegjëse të institucioneve të ndryshme.
- Gjatë muajit Maj, ILDKP zhvilloi një seri trajnimesh me 160 zyrtarë të funksioneve të ndryshme të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
- Gjatë muajit Shtator, u organizuan seminare trajnuese me temë: “Parandalimi i konfliktit të interesave në administratën e pushtetit vendor”, në Bashkinë e Lezhës, Sarandës, Beratit dhe Korçës ku u trajnuan gjithsej 107 zyrtarë. Sjellja e rasteve të gjendjes me konflikt interesi të zyrtarëve të ndryshëm gjatë ushtrimit të detyrës, jo vetëm që nxiti lirshmërinë dhe larminë e diskutimeve gjatë seancave trajnuese, por i shërbeu evidentimit të problematikës së rasteve të konfliktit të interesave, parandalimit në kohë dhe zgjidhjes së tyre.
- Gjatë muajit Nëntor, u organizuan seminare trajnuese me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ministrisë së Shëndetësisë, Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ALUIZNI dhe Zyrën Qëndrore të Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në këto takime trajnuese morën pjesë 200 zyrtarë të nivelit lartë dhe të mesëm drejtues. Duke pasur parasysh numrin e madh të punonjësve që ushtrojnë detyrën e tyre në këto institucione, kryesisht në ministri, si dhe riskun e lartë për rënien në kushtet e konfliktit të interesave për shkak të kompetencave të shumta vendimmarrëse të këtyre institucioneve të lidhur drejtpërdrejt me publikun, takimet e organizuara në funksion të këtyre zyrtarëve ishin disa ditore.
Në përmbushje të kërkesave të parashtruara nga ILDKP, si dhe në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare të Kërkimeve Ekonomike, Agjencinë e Prokurimit Publik, Avokatin e Prokurimit Publik dhe me Agjencinë e Trajtimit të Konçencioneve si dhe me mbështetjen financiare të USAID është drejt finalizimit hartimi i “Manualit Shpjegues për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Prokurimet Publike”, i cili do të shpërndahet më pas në të gjitha institucionet publike. Takime të veçanta trajnuese do të realizohen në vijim kryesisht me zyrtarë të nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues, me qëllim njohjen me kërkesat ligjore mbi parandalimin e konfliktit të interesave në prokurimin e fondeve publike.
Ndërkohë ka filluar puna për hartimin e dy manualeve të tjera, të cilat i shtohen instrumentave kontrollues dhe investigues të Inspektoratit të Lartë. Konkretisht, është në proces hartimi i Manualit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në qeverisjen vendore” dhe Manuali “Për hetimin administrativ”. Në funksion të procesit të unifikimit të praktikave të hetimit administrativ, të cilat do të konkretizohen edhe me botimin e manualit përkatës, do të organizohen takime pune dhe trajnime intensive me përfaqësues të Njësisë së Përbashkët Hetimore të Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme dhe stafit të hetimit administrativ të Inspektoratit të Lartë. Kjo veprimtari do t’i shërbejë punës konkrete bashkëpunuese ndërmjet dy institucioneve duke specifikuar metodat dhe proçedurat e veçanta në rastet e kallëzimeve të dërguara në organin e akuzës nga ILDKP-ja, si dhe ndjekjen e këtyre denoncimeve në të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë.
Inspektorati i Lartë, në përmbushje të detyrimeve të tjera ligjore, të parashikuara në ligjin Nr.9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, krahas trajnimeve, ka ushtruar kontrolle në institucione të ndryshme qendrore, në të cilat janë evidentuar ecuri pozitive, por edhe problematika të natyrave të ndryshme. Nga kontrollet e ushtruara në institucione dhe nga të dhënat e konstatuara nga deklarimet e interesave private të zyrtarëve, nga raportet e paraqitura nga Autoritetet Përgjegjëse, nga të dhëna të medias etj, gjatë vitit 2008 janë shqyrtuar rreth 120 raste të dyshuara për konflikt interesi, nga të cilat 66 raste kanë rezultuar me konflikt interesi, të identifikuara në rrugë ligjore, si më poshtë:
- 19 raste konflikti interesi të evidentuara gjatë kryerjes së procesit të Kontrollit Aritmetik e Logjik,
- 25 raste është shmangur rekrutimi (marrja) në funksione të ndryshme. Informacioni ka mbërritur në Inspektoratin e Lartë nëpërmjet komunikimit të drejtpërdrejtë me stafin përgjegjës të institucioneve përkatëse.
- 7 raste konflikti interesi të evidentuara dhe të konfirmuara në Inspektoratin e Lartë nga shkresat e institucioneve të ndryshme të administratës publike.
- 14 raste të evidentuara nga Autoritetet Përgjegjëse të institucioneve publike.
- 1 rast konflikti interesi i ofruar nga media.
Inspektorati i Lartë, pas shqyrtimit të rasteve të konfliktit të interesave në bashkëpunim me Autoritetet Përgjegjëse dhe me zyrtarët ka realizuar zgjidhjen e tyre sipas kërkesave të ligjit, nëpërmjet heqjes dorë nga interesat private ose largimit nga funksioni.
Në kuadër të parandalimit të rasteve të konfliktit të interesave Inspektorati i Lartë ka forcuar bashkëpunimin me institucionet shtetërore si Agjencia e Prokurimit Publik, Avokati i Prokurimeve etj, duke rritur efikasitetin në evidentimin dhe parandalimin në kohë të rasteve të konfliktit të interesave dhe abuzimit me fonde publike.
Në respektim të ndalimeve dhe kufizimeve të përcaktuara në ligjin Nr. 9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, është shqyrtuar dhe parandaluar pjesëmarrja apo kualifikimi i operatorëve ekonomikë në proçedura të ndryshme prokurimi, sepse ndodheshin në kushtet e konfliktit të interesit, për shkak të interesit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të zyrtarëve të ndryshëm në shoqëritë që përfaqësonin.
Deklarimi dhe kontrolli i pasurive
Inspektorati i Lartë është angazhuar për zbatimin korrekt të legjislacionit për kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare, si dhe të sanksioneve të parashikuara në këtë ligj. Mbështetur në dispozitat ligjore mbi deklarimin e interesave private, rezulton që numri total i subjekteve që mbartin detyrim për deklarim në ILDKP dhe që janë të rregjistruar si subjekte të hetimit administrativ për vitin 2008 është 3913 subjekte deklarimi. Nga numri total i deklaratave të interesave private të administruara nga ILDKP gjatë vitit 2008, rezulton se:
445 janë Deklarata para Fillimit të Detyrës ose 10% e numrit total të deklaratave
3508 janë Deklarata Periodike/Vjetore ose 84% e numrit total të deklaratave
237 janë Deklarata pas Largimit ose 6% e numrit total të deklaratave
(3913 subjekteve në funksion, i korrespondojnë 4190 deklarata të interesave private, ndërsa 4960 jane ish- subjekte deklarues në total)
Grafik 1.
Gjatë periudhës janar – dhjetor 2008 rezultojnë të jenë dorëzuar në ILDKP 445 deklarata “Para Fillimit të Detyrës”, nga të cilat:
- 343 janë subjekte që kanë deklaruar për herë të parë gjatë vitit 2008, dhe
- 102 zyrtarë kanë qënë më parë subjekt të ligjit, por për shkak të një shkëputje nga funksioni deklarues prej më shumë se një vit, deklarojnë përsëri për herë të parë.
Grafik 2.
Statistikat tregojnë se në periudhën janar – dhjetor 2008 numri i subjekteve që kanë dorëzuar në ILDKP deklarata të interesave private për herë të parë ka arritur në 343 zyrtarë. Ndaj të gjithë zyrtarëve të rinj, por jo vetëm, është dhënë asistencë dhe ndihmesë ligjore për të plotësuar dokumentin zyrtar “Deklaratë e Interesave Private” në përmbushje të kërkesave ligjore.
Inspektorati i Lartë, gjatë aktivitetit të tij vjetor i ka kushtuar rëndësi të veçantë intensifikimit të punës njohëse dhe edukuese të subjekteve të deklarimit, nëpërmjet mediave, reklamave, emisioneve të posaçme, njoftimeve mediatike të shpeshta apo qoftë dhe përmes komunikimit të drejtëpërdrejtë me subjektet deklarues dhe me Autoritetet Përgjegjëse të institucioneve publike në nivel qendror apo lokal. Pavarësisht angazhimit dhe punës paraprake të kryer, në fund të procesit të deklarimit, u evidentuan 70 zyrtarë të cilët nuk përmbushën detyrimin ligjor brenda afatit të parashikuar nga ligji, konkretisht, më 31 Mars të çdo viti për subjektet deklarues, përcaktuar në nenin 4 të ligjit nr.9049 “Mbi deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe disa nëpunësve publikë” si dhe 15 Prill të çdo viti për Autoritetet Përgjegjëse, përcaktuar në nenin 42 të ligjit nr.9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” Në këto rrethana, është marrë masa administrative “gjobë” për 70 zyrtarët që nuk respektuan afatet ligjore. Masa administrative “gjobë”, pasi u bë publike, iu dërgua zyrtarëve dhe titullarëve të institucioneve që kanë në vartësi të tyre zyrtarët subjekt deklarimi. Nga këto masa të marra rezulton se vetëm 6 prej tyre ankimuan masën administrative në Inspektoratin e Lartë, ku përmes provave shkresore pretendonin se kishin arsye të bazuara për vonesën në dorëzimin e deklaratës. Në shqyrtimin e rasteve të ankimuara u konkludua se vetëm dy zyrtarë kishin arsye ligjore që legjitimonin vonesën në dorëzimin e deklaratës së interesave private. Një nga zyrtarët e gjobitur ka bërë ankim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka vendosur anullimin e aktit administrativ. Edhe pas proçedurave të nxjerrjes, publikimit, njoftimit individual dhe kalimit të afateve ligjore të ankimit ndaj aktit administrativ, u evidentuan se 11 prej zyrtarëve të gjobitur nuk kanë dorëzuar deklaratat e pasurisë. Për këtë arsye, Inspektorati i Lartë, bazuar në nenin 257/a të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë ka dërguar në organin e prokurorisë kallëzimin penal për “Refuzim për deklarim”.
Gjatë seminareve trajnuese, në takime të drejtëpërdrejta me punonjës të administratës publike dhe Autoritete Përgjegjëse, si edhe nëpërmjet medias së shkruar dhe asaj vizive, janë prezantuar kërkesat ligjore, me qëllim shmangien e vonesave të pajustifikuara dhe të parregullsive të aspektit teknik të konstatuara në plotësimin e formularit të deklaratës së interesave private. Stafi i Inspektoratit të Lartë është impenjuar maksimalisht që të ofrojë asistencë ligjore dhe teknike ndaj zyrtarëve, subjekte të ligjit, për plotësimin e dokumentit zyrtar “deklaratë e interesave private”. Megjithatë, edhe në deklaratat e dorëzuara gjatë kontrollit paraprak, në vitin 2008, janë vërejtur gabime materiale tek 270 subjekte deklarues, të cilët brenda 15 ditëve nga marrja e njoftimit nga Inspektorati i Lartë kanë korrigjuar parregullsitë e konstatuara në deklaratat e interesave të tyre private.
Siç është përcaktuar në ligj, pas kontrollit paraprak të gjitha deklaratat kanë kaluar në Kontroll Aritmetiko-Logjik, në të cilin, sipas përcaktimit të nenit 25 të ligjit Nr.9049, datë 10.04.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” kërkohet vërtetimi për :
- saktësinë e vlerësimit të pasurisë së deklaruar
- saktësinë e burimeve e të ardhurave financiare të deklaruara
- mjaftueshmërinë ose jo të tyre për pasurinë e krijuar
- detyrimet financiare, por dhe ekzistencën ose jo të konfliktit të interesit.
Gjatë vitit 2008, ka përfunduar Kontrolli Aritmetiko-Logjik (KAL) për 2969 subjekte. Nga kontrollet e kryera për këto subjekte u konstatuan 19 raste të konfliktit të interesit, zgjidhja e të cilave u bë bazuar në dispozitat ligjore.
Kontrolli i Plotë
Për periudhën janar-dhjetor 2008, në zbatim të nenit 17 dhe 18 të Ligjit Nr.9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, numri i subjekteve që kanë kaluar për kontroll të plotë është: 642 zyrtarë, nga të cilët rezultojnë :
- 436 subjekte për shkak të funksionit;
- 50 subjekte për shkak të problemeve të konstatuara nga Kontrolli Aritmetik dhe Logjik;
- 152 subjekte që rezultojnë nga shorti i zhvilluar në muajin Maj 2008, proçedurë e cila zhvillohet bazuar në nenin 17, pika 3 e ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” në të cilën përcaktohet se “…Për të gjitha kategoritë e tjera të zyrtarëve, që u nënshtrohen deklarimit periodik (përfshirë ato të përcaktuara në shkronjat e mësipërme të pikës 2), kontrolli kryhet çdo vit për një numër prej të paktën 4 për qind të numrit të përgjithshëm të deklaratave….Përzgjedhja e një zyrtari/deklarate, në një vit, nuk e përjashton zyrtarin/deklaratën nga shorti për vitin pasardhës…” Proçedura e hedhjes së shortit u realizua në prani të përfaqësuesve të medias, organizmave joqeveritarë e të institucioneve të ndryshme bashkëpunuese me Inspektoratin e Lartë.
- 4 subjekte që kaluan në Kontroll të Plotë për shkak të informacioneve të ofruara në ILDKP. Këtu duhet theksuar se për çdo informacion mbi zyrtarët, subjekte deklarues, i bërë publik nga media e shkruar dhe ajo vizive kohët e fundit, mbi raste të ndryshme të dyshuara për korrupsion apo konflikt interesi, kanë filluar menjëherë proçedurat ligjore për kryerjen e veprimeve verifikuese dhe më pas kalimin për Kontroll të Plotë dhe hetim administrativ.
Procesi i Kontrollit të Plotë është kryer me anën e:
- Korrespondencës me institucionet publike, për ofrimin e të dhënave që ekzistojnë të regjistruara në regjistrat publikë të institucioneve të ndryshme.
- Korrespondencës me institucionet bankare brenda e jashtë vendit.
- Marrjes së informacioneve nga burime të tjera (nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, nga shtetas e zyrtarë të ndryshëm, nga media e shkruar e ajo vizive, si dhe informacioneve që ofrohen në numrin free 0800 9999 etj.).
Për probleme të vërejtura gjatë procesit të Kontrollit të Plotë, në vitin 2008 Inspektorati i Lartë ka dorëzuar një kallëzim penal në organin e Prokurorisë për “Fshehje Pasurie”, për një subjekt me funksion zv.Ministër. Gjithashtu në fund të vitit u dërgua në organin e akuzës kallzim penal për një tjetër subjekt me funksion Prokuror, për “Fshehje Pasurie”. Gjithashtu në fund të këtij viti raportues, kishte filluar procesi i verifikimit dhe hetimit administrativ për rastet e 4 subjektëve deklarues, zyrtarë të nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues, ku pas verifikimeve të plota të kryera nga ana e Inspektoratit të Lartë, u konstatuan shkelje të nenit 257/a të Kodit Penal dhe rastet në fjalë u dërguan në organin e akuzës. Të gjitha këto raste janë bërë publike në median e shkruar dhe vizive duke synuar në këtë mënyrë një nga objektivat tona, atë të transparencës me publikun.
Forcimi i kapaciteteve investiguese dhe rritja e bashkëpunimit ndërinstitucional
Forcimi i kapaciteteve institucionale, çështje e evidentuar edhe në Progres-Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2008, është shndërruar tashmë në një domosdoshmëri, por njëkohësisht dhe sfidë për Inspektoratin e Lartë, i cili tashmë synon të forcojë imazhin e aktorit dhe të faktorit publik serioz në luftën kundër korrupsionit duke shprehur gatishmërinë për të përballuar sfida me shtrirje edhe më të gjerë.
Për rritjen e kapaciteteve investiguese, Inspektorati i Lartë, gjatë vitit 2008, ka shtuar ndjeshëm bashkëpunimin me struktura të specializuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik, brenda e jashtë vendit. Kështu;
- Gjatë vitit 2008, Inspektorati i Lartë nënshkroi 4 Marrëveshje Bashkëpunimi me;
1. Prokurorinë e Përgjithshme
2. Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit
3. Agjencinë e Prokurimit Publik dhe
4. INSTAT
Qëllimi kryesor i këtyre marrëveshjeve është forcimi i kapaciteteve investiguese të administratës publike në funksion të luftës kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik. Në respektim të Marrëveshjeve të nënshkruara, institucionet angazhohen për krijimin e kontakteve më të ngushta institucionale dhe shkëmbim informacioni më të shpejtë për evidentimin dhe vënien para përgjegjësisë administrative, disiplinore apo penale të zyrtarëve që përfshihen në afera korruptive. Në këtë kuadër janë organizuar takime pune të vazhdueshme me përfaqësues të institucioneve të lartpërmendura, ku janë prezantuar metodologjitë dhe procedurat konkrete ligjore që duhet të ndiqen me qëllim unifikimin e praktikave dhe vendosjen e standarteve ligjore në funksion të parandalimit të konfliktit të interesave dhe evidentimit të rasteve të përfitimit të pasurive me burime të paligjshme.
Në vijim të rritjes së bashkëpunimit me zyrat homologe dhe agjencitë anti-korrupsion të rajonit dhe më gjërë janë zhvilluar aktivitetet e mëposhtme:
-ILDKP mori pjesë në një vizite pune në Francë, me ftesë të zyrës homologe në Agjencinë Qendrore të Parandalimit të Korrupsionit ku njëkohësisht u zhvilluan takime të rëndësishme edhe në Zyrën e Parandalimit të Pastrimit të Parave të Francës (TRACFIN), si dhe në Strukturën Qendrore për Luftën kundër Korrupsionit.
-Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, si anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Autoriteteve Anti-Korrupsion, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare me tematike “Masat efektive parandaluese në luftën anti-korrupsion”, ku nga ana jonë u prezantuan masat konkrete të ndërmarra gjatë veprimtarisë institucionale, në ndihmë të forcimit të kapaciteteve investiguese si dhe arritjeve të institucionit në forcimin e bashkëpunimi ndërinstitucional, me qëllimin kryesor luftën kundër korrupsionit.
-Me ndërmjetësinë e Sekretariatit Rajonal Anti-Korrupsion, u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi me Agjencinë e Integritetit Kombëtar të Rumanisë, duke forcuar më tej bashkëpunimin rajonal. Agjencia rumune, si një zyrë e re e krijuar në Dhjetor 2007, u ftua të merrte eksperiencë dhe të njihej me praktikat e ndjekura nga Inspektorati i Lartë, i cili nga ana e tij tashmë është i afirmuar në strukturat homologe ndërkombëtare si një prej agjencive që ndikon fuqishëm në standartizimin e masave për shmangien e konfliktit të interesave dhe fshehjes së pasurisë. Në kuadër të Memorandumit të firmosur, palët angazhohen të bashkëpunojnë për krijimin e një partneriteti, me qëllim bashkërendimin e përpjekjeve të të dy institucioneve për përmirësimin e veprimtarisë në kuadër të luftës kundër korrupsionit, zgjidhjen e konfliktit të interesave, si edhe integritetin e nëpunësve publikë dhe zyrtarëve të lartë.
- ILDKP mori pjesë në Takimin e 7-të Përgjithshëm të Rrjetit Anti-Korrupsion për vendet e Europës Lindore dhe të Azisë Qendrore.
Në këtë takim, drejtues të institucioneve anti-korrupsion, përfaqësues të organizmave joqeveritarë dhe të biznesit nga më shumë se 30 vende diskutuan për dy ditë, në sesione të ndryshme, për investigimin dhe procedimin e çështjeve të zyrtarëve të lartë, monitorimin e masave të marra nga vendet anëtare për luftën kundër korrupsionit.
- ILDKP në bashkëpunim me USAID organizoi një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të organit të prokurorisë me temë: “Investigimi i Konfliktit të Interesave dhe Deklarimit të Pasurive: ILDKP-ja dhe Prokurorët, drejt të ardhmes së Shqipërisë”.
Ky takim shënoi një hap tjetër në forcimin e bashkëpunimit të ILDKP–së me organin e prokurorisë, veçanërisht pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet këtyre strukturave të rëndësishme në luftën anti-korrupsion. Takime të tilla rreth forcimit të bashkëpunimit me organin e akuzës janë planifikuar që të organizohen dhe për vitin në vazhdim, takime të cilat nuk janë vetëm në aspektin e tryezave të rrumbullakta, por dhe të takimeve trajnuese, të cilat do të jenë ndër prioritetet dhe sfidat e Inspektoratit gjatë këtij viti.
- Përfaqësues të institucionit tonë, morën pjesë në Konferencën e Vlerësimit të Zbatimit të Programit të Shtetit për Parandalimin e Korrupsionit, organizuar në Ohër, Maqedoni. Gjatë konferencës u zhvillua dhe takimi i përfaqësuesve të Lartë të Agjencive Anti-Korrupsion të Ballkanit, të cilët ishin ftuar të jepnin eksperiencën e tyre në zbatimin e strategjive anti-korrupsion. Inspektorati i Lartë prezantoi strukturat anti-korrupsion të vendit tonë, strategjinë mbi të cilën operon ILDKP-ja si dhe eksperiencën e praktikën e ndjekur në forcimin e bashkëpunimit bilateral dhe ndërkombëtar në luftën kundër korrupsionit.
- ILDKP i ftuar si ekspert i fushës së konfliktit të interesave, mori pjesë në Seminarin me temë “Edukimi i zyrtarëve publikë për konfliktin e interesave”, organizuar nga Komisioni i Përcaktimit të Konfliktit të Interesave, të Republikës së Malit të Zi. Ndër të tjera, qëllimi i këtij takimi ishte dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional në vijim të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të lidhur midis dy institucioneve homologe, nëpërmjet shkëmbimit të përvojave, vizitave studimore, trajnimeve dhe projekteve të përbashkëta.
- Në dhjetor të vitit 2008 ILDKP merr pjesë në takimin e 19-të të Grupit të Përbashkët Konsultativ Task-Forcë BE-Shqipëri, në Bruksel. Qëllimi i takimit ishte progresi i bërë nga Shqipëria në adresim të prioriteteve të Partneritetit Europian, me fokus kryesor në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik.
Bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare homologe do të jetë një ndër prioritetet e Inspektoratit të Lartë në vijimësi, me synimin e shkëmbimit të informacionit dhe të unifikimit të praktikave dhe politikave anti-korrupsion dhe vendosjes së standarteve evropiane jo vetëm me vendet e rajonit, por dhe më gjerë.
Risitë, objektivat dhe sfidat
Bashkëpunimi ndërinstitucional, sjellja e risive, ndërmarrja e iniciativave ligjore, kalimi nga një rol parandalues dhe trajnues në një rol kontrollues dhe ndëshkues gjatë tre-mujorit të fundit të këtij viti raportues, janë iniciativa dhe stategji të mirëpritura dhe të vlerësuara nga shumë faktorë bashkëpunues të ILDKP-së, vendas e ndërkombëtarë.
Inspektorati i Lartë bëri prezente strategjinë dhe prioritetet e drejtimit institucional, strategji e cila u konkretizua me disa iniciativa të reja të ndërmarra gjatë kësaj periudhe, që jo vetëm sjellin risi në veprimtarinë institucionale, por dhe forcojnë më tej kapacitetet investiguese të ILDKP-së.
Me Urdhërin nr.77, të vitit 2008 të Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, u miratua formulari i ri i deklarimit të interesave private, me anë të së cilit synohet forcimi i mekanizmave të evidentimit, parandalimit dhe zgjidhjes së konfliktit të interesave dhe luftës kundër korrupsionit.
Një nga risitë e dokumentit të ri është saktësimi i detyrimit për deklarim të interesave private dhe burimin e krijimit të tyre, për fëmijët madhorë jashtë çertifikatës familjare të subjekteve të ligjit Nr.9049, dt.10.04.2003 ”Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”dhe ligjit Nr.9367, dt.07.04.2005 ”Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, detyrim i cili nuk është aplikuar deri tani.
Në këtë mënyrë, Inspektorati i Lartë synon shmangien e regjistrimit në emër të fëmijëve jashtë çertifikatës familjare, të pasurive të fituara në mënyrë të dyshimtë nga zyrtari, si edhe shmangien e përfitimeve të padrejta të kësaj kategorie personash të lidhur me zyrtarin, si rrjedhojë e pozicionit publik të subjektit.
Një ndër prioritetet e tjera që Inspektorati i Lartë synonte të realizonte përmes formularit të ri “deklaratë e interesave private”, është jo vetëm evidentimi, parandalimi, zgjidhja e rasteve të konfliktit të interesave, por edhe vendosja e sanksioneve përkatëse në rastet e mosrespektimit të kërkesave ligjore. Për këto arsye, në zbatim të neneve 24 dhe 35 të ligjit Nr.9367, datë 07.04.2005, në formularin e ri të deklarimit të interesave private, është vendosur një hapësirë e caktuar për gjeneralitetet e personave të lidhur me zyrtarin (bashkëshorti/ja, fëmijët në moshë madhore dhe prindërit e zyrtarit e të bashkëshortit/es) për të cilët ligji parashikon kufizime të posaçme ashtu si dhe për zyrtarët subjekt deklarimi.
Nëpërmjet krijimit të një baze të dhënash, Inspektorati i Lartë do të zotërojë informacion më të plotë mbi personat e lidhur me zyrtarin, ç’ka do të forcojë më tej mekanizmat e hetimit administrativ për evidentimin dhe shmangien e konfliktit të interesave të vazhdueshëm dhe rast pas rasti.
Përsa i përket modelit të ri të deklaratës së interesave private Inspektorati i Lartë është përfshirë në një inciativë njohëse për plotësimin e dokumentit zyrtar, ku stafi i ILDKP për një periudhë të caktuar kohore do të jetë i pranishëm në çdo institucion me qëllim dhënien e asistencës për subjektet deklarues. Përveç asistencës në çdo institucion, është ngritur një grup pune brenda ambjenteve të Inspektoratit të Lartë që mundëson asistencë teknike dhe këshillim për subjektet deklarues që i drejtohen zyrave tona për konsulencë në plotësimin e formularit të deklarimit, me qëllim shmangien e çdo paqartësie apo keqkuptimi. Stafi teknik i Inspektoratit të Lartë ka përgatitur dhe ka shpërndarë në institucionet qëndrore dhe vendore një Udhëzues për plotësimin e dokumentit zyrtar “Deklaratë e Interesave Private”, i cili mendojmë se do i vijë në ndihmë të gjithë zyrtarëve.
Në forcim të kapaciteteve investiguese dhe në respektim të rekomandimeve të dhëna nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, u miratua Vendimi i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës të Inspektoratit të Lartë”. Miratimi i një strukture të tillë, në ndihmesë të drejtëpërdrejtë të rritjes së kapaciteteve administrative dhe hetimore ka dhënë rezultatet e para pozitive, si në procesin e hetimit administrativ, ashtu dhe në zgjidhjen e disa rasteve të konfliktit të interesave. Në këtë mënyrë Inspektorati i Lartë, përveç se përmbush detyrimet e tij ligjore, me një ritëm të dukshëm shpreh dhe vullnetin e tij që në mënyrë konkrete, operacionale dhe bashkëpunuese me institucionet e tjera të jetë një ndër aktorët kryesorë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik.
Prezantimi i plotë i punës së Inspektoratit të Lartë dhe roli i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, ka ndikuar në përfshirjen e institucionit në nisma të reja, në sfida më të gjera për identifikimin e përfitimit të të ardhurave në mënyra të paligjshme.
Gjatë tre-mujorit të fundit të vitit raportues, Inspektorati i Lartë, në përmbushje të detyrimeve të përcaktuara në ligjet përkatëse, por dhe në vazhdimësi të Memorandum Bashkëpunimeve të nënshkruara me institucionet që kanë për qëllim luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik, ka intensifikuar marrëdhëniet me këto institucione duke vepruar në rrugë operacionale me qëllim zbulimin e elementëve të korruptuar në administratën publike. Vlen të përmendet intensifikimi i marrëdhënieve institucionale me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, ku në bazë të ligjit Nr.9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit”, Inspektorati i Lartë është pjesë e Komitetit Kombëtar për Bashkërendimin e Luftës Kundër Pastrimit të Parave, i cili “drejtohet nga Kryeministri dhe përbëhet nga Ministri i Financave, Ministri i Punëve të Jashtme, Ministri i Mbrojtjes, Ministri i Brendshëm, Ministri i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Plotë”.
Në këtë mënyrë, Inspektoratit i shtohen mundësitë për investigimin administrativ të subjekteve, si edhe shtohen mundësitë e forcimit të kapaciteteve bashkëpunuese. Ky bashkëpunim mori dimensione më të mëdha, të cilat u konkretizuan me shkëmbim informacioni dhe vënie në dijeni të rasteve konkrete të problemeve të konstatuara në deklaratat e interesave private të subjekteve deklarues. Kështu, bazuar në nenet përkatëse, neni 17/ç i Ligjit Nr.9049 datë 10.04.2003 dhe neni 12 i Ligjit Nr.9917 datë 19.05.2008, ILDKP-ja ka vënë në dijeni DPPPP-në për çdo rast të dyshuar. Këtë praktikë pune të ndjekur me DPPPP, e cila rezulton të jetë e dobishme për të dy palët, Inspektorati i Lartë angazhohet ta intensifikojë më tej, gjë e cila do të jetë objektiv parësor përsa i takon forcimit të marrëdhënieve ndërinstitucionale për vitin në vazhdim.
Në lidhje me parregullsitë e konstatuara në deklaratat e interesave private të zyrtarëve të zgjedhur dhe të nëpunësve publikë, Inspektorati i Lartë, në përmbushje të detyrimeve të tij ligjore, të përcaktuara në nenin 15/b të ligjit Nr.9049, datë 10.04.2003, ka njoftuar rast pas rasti Presidentin, Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Kryeministrin, Ministrat dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, si dhe drejtuesit e institucioneve të tjera për këto parregullsi të konstatuara në deklarimin e interesave private nga punonjësit nën juridiksionin e tyre. Duke përmbushur detyrimin e tij ligjor, Inspektorati i Lartë synon forcimin e masave shtërnguese dhe marrjen e masave administrative nga eprorët për punonjësit nën juridiksionin e tyre, të cilët nuk përmbushin detyrimet e tyre ligjore.
Bashkëpunimi me median e shoqërinë civile
Raportet me median vazhdojnë të jenë të mira dhe në raste të ndryshme, frytdhënëse për evidentimin dhe zgjidhjen e rasteve të konfliktit të interesave apo të zbulimit të fshehjes së pasurive. Inspektorati i Lartë ka qenë shpesh i pranishëm në organet mediatike, me njoftime të ndryshme apo intervista, të cilat kanë synuar njohjen sa më të plotë të legjislacionit dhe të aktivitetit institucional. Po ashtu, niveli i transparencës ka vazhduar të mbetet në vlera të normale. Mjafton të përmendim se për periudhën janar-dhjetor 2008 janë dhënë për publikim 688 deklarata të interesave private të subjekteve të ndryshëm,
nga të cilat:
- 224 deklarata janë kërkuar nga media
- 190 deklarata janë kërkuar nga OJF
- 274 deklarata janë kërkuar nga institucionet publike
Grafik 4
Në aspektin e forcimit të bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe median e shkruar dhe atë vizive, Inspektorati i Lartë, në bashkëpunim edhe me USAID, me qëllim për të krijuar mundësi më të mëdha komunikimi, si edhe për të ndërthurur hetimin administrativ me hetimin mediatik, organizuan seminarin e përbashkët “ILDKP, media dhe shoqëria civile, aleatë në luftën kundër korrupsionit dhe për përmirësimin e përgjegjshmërisë së sektorit publik”. Në takim ishin të ftuar përfaqësues të shoqërisë civile, OJF dhe media.
Qëllimi i takimit ishte shkëmbimi i ideve për parandalimin e konfliktit të interesave, si dhe rritja bashkëpunimit mes shoqërisë civile dhe ILDKP-së për forcimin e kapaciteteve investiguese.
Ndërkohë është duke u përgatitur një program i gjerë për trajnimin e gazetarëve të medias së shkruar e asaj elektronike, si dhe të pjesëtarëve të organizmave joqeveritare, për kuptimin e kërkesave të ligjit “Për deklarimin e pasurive…” dhe të ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave…”. Ky projekt tashmë ka iniciuar në disa qytete kryesore të vendit dhe synon afrimin e gazetarëve dhe shoqërisë civile me problematikën dhe me masat në luftën kundër korrupsionit.
Gjithashtu është në proces dhe do të nisë shumë shpejt edhe përcaktimi i modaliteteve për organizimin e një fushate sensibilizuese mediatike, nëpërmjet të cilës Inspektorati i Lartë synon nxitjen e opinionit publik për ofrimin e rasteve korruptive me të cilat ndeshen në përditshmërinë e tyre.
Mbi realizimin e treguesve të buxhetit të ILDKP-së për vitin 2008
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, veprimtarinë institucionale e bazon në ligjin Nr.9638, datë 26.11.2007 “Për Bushetin e Shtetit të vitit 2008”, si dhe të akteve të tjera nënligjore në zbatim të këtij ligji.
Për periudhen raportuese fondi i përgjithshëm buxhetor prej 88 milion e 600 mijë lekë, është realizuar në vlerën 85,097,579 lekë, 96% e shpenzimeve të planifikuara ose 3.502.421 lekë me pak.
Sipas zërave të buxhetit realizmet janë si vijon:
- Fondi i Pagave dhe Sigurimeve Shoqërore,
Paga dhe shpërblime në shumën 47.731.657 lekë ose 95%
Kontribut për sigurimet shoqërore 6.509.814 lekë ose 91%
- Fondi për investime, nga vlera e përgjithshme prej 5,000,000 lekë, për periudhën e raportuar, është prokuruar në masën 4,994,790 lekë ose 99.9% e fondit vjetor të planifikuar, duke plotësuar nevojat me të domosdoshme për një veprimtari sa me normale të institucionit.
- Fondi për shpenzime në zërin Mallra dhe Shërbime për vitin 2008, është realizuar në masën 99.5%
Edhe për këtë zë, janë respektuar drejt dhe në kohë kërkesat e ligjit për prokurimin e fondeve publike.
Gjithashtu, në realizimin e shpenzimeve operative, Inspektorati i Lartë, është mbështetur në një shpërndarje sa më racionale të kërkesave, të cilat lidhen me :
- Verifikimin dhe hetimin administrativ të interesave private të zyrtarëve brenda dhe jashtë vendit.
- Rritjen dhe kualifikimin profesional të vetë punonjësve të Inspektoratit të Lartë.
- Rritjen dhe kualifikimin profesional të Autoriteteve Përgjegjëse dhe zyrtarëve të institucioneve të ndryshme nëpërmjet organizimit të trajnimeve dhe seminareve.
- Rritjen e nivelit dhe standarteve të transparencës si një ndër elementet e rëndësishëm në evidentimin dhe parandalimin e konfliktit të interesave.
- Realizimin e shpenzimeve për publikime të ndryshme.
- Realizimin e shpenzimeve, të detyrueshme ndaj shtetit, si taksa e tatime, energji elektrike, ujë, shërbime postare e telefonike pa pagesë për publikun, në funksion të një veprimtarie normale institucionale.
- Rritjen e përmirësimit të regjistrimit, ruajtjes dhe teknologjisë informatike.
Realizimi i shpenzimeve operative për periudhën raportuese, është në masën 25,861,318 lekë ose 99.5% e fondit të akorduar për institucionin tonë. Kursimi i realizuar në shpenzimet operative, megjithë rritjen e çmimeve të artikujve dhe shërbimeve për vitin 2008, ka ardhur si rezultat i kujdesit të treguar në procesin e prokurimeve dhe i përdorimit racional sipas nevojave konkrete të institucionit.
Realizimi i të ardhurave nga veprimtaria e ILDKP-së për vitin 2008 ka realizuar të ardhura në shumën 1.102.480 lekë nga të cilat 80% e tyra janë nga gjobat e aplikuara ndaj zyrtarëve që nuk kanë qenë korrekt me zbatimin e ligjit.
Për vitin në vazhdim do të zbatojmë me korrektësi treguesit e buxhetit të planifikuar për ILDKP-në, duke synuar maksimizimin e efektivitetit të shpenzimeve në funksion të rritjes së kapaciteteve investiguese dhe hetimin e rasteve abuzive të deklarimit të interesave private dhe parandalimit të konfliktit të interesave të zyrtarëve që ushtrojnë funksione publike.
Ju faleminderit !






