Albanian English

Raport 2009

RAPORTI VJETOR PER VITIN 2009

 

  • VIZIONI

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, në rolin e Autoritetit Qendror Përgjegjës për zbatimin e dy ligjeve shumë të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit; ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe disa nëpunësve publikë” dhe ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, në vitin 2009 ka aplikuar strategjinë institucionale, duke iu referuar projekt-rezolutës së Komisionit për Çështje Ligjore, Administratës Publike dhe të të Drejtave të Njeriut për vitin 2009, si edhe Rekomandimeve të Komisionit Evropian, paraqitur në Progres-Raportin 2008 për Shqipërinë.

Në ndërthurje të këtyre dy dokumenteve shumë të rëndësishëm, Inspektorati i Lartë është angazhuar maksimalisht në forcimin e kapaciteteve investiguese, në shtimin e mekanizmave kontrollues për pasuri të krijuara në mënyrë të dyshimtë, në ofrimin e asistencës për zyrtarët, subjekte të dy ligjeve që administrohen nga institucioni ynë, si edhe në parandalimin dhe shmangien e konfliktit të interesave në radhët e administratës publike.

Në vlerësim të bashkëpunimin ndërinstitucional, si një ndër faktorët kryesorë në luftën kundër korrupsionit, Inspektorati i Lartë ka kontribuuar në shtimin dhe forcimin e kontakteve me agjenci të tjera që kanë të njëjtin qëllim. Ky vizion i Inspektoratit të Lartë është shprehur nëpërmjet realizimit e një numri të madh seminaresh trajnuese me grupe të ndryshme të administratës publike, me Autoritetet Përgjegjëse të institucioneve, si edhe në aktet nënligjorë, të cilat janë në shërbim të subjekteve të ligjit dhe publikut.

  • METODOLOGJIA

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, në përmbushje të strategjisë institucionale për luftë pa kompromis kundër korrupsionit në administratën publike, forcoi mekanizmat e evidentimit, parandalimit dhe shmangies së konfliktit të interesave dhe zbulimit të pasurive të krijuara në mënyrë të padrejtë nga zyrtarët, nëpërmjet modifikimit të formularit të deklarimit të interesave private.

Modifikimi i formularit të deklarimit të interesave private

Një nga risitë e dokumentit të ri është saktësimi i detyrimit për deklarim të interesave private dhe burimin e krijimit të tyre, për fëmijët madhorë jashtë çertifikatës familjare të subjekteve të ligjit nr.9049, dt.10.4.2003 ”Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”dhe ligjit nr. 9367, dt.7.4.2005 ”Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, detyrim i cili u aplikua për herë të parë në vitin 2009. Nëpërmjet këtij mekanizmi, Inspektorati i Lartë synon shmangien e regjistrimit në emër të fëmijve jashtë çertifikatës familjare, të pasurive të fituara në mënyrë të dyshimtë nga zyrtari, si edhe eleminimin e përfitimit të padrejtë të kësaj kategorie personash të lidhur me zyrtarin, si rrjedhojë e pozicionit publik të subjektit. Gjithashtu, në formularin e ri të deklarimit të interesave private, është vendosur një hapësirë e caktuar për gjeneralitetet të personave të lidhur me zyrtarin (bashkëshorti/ja, fëmijët në moshë madhore dhe prindërit e zyrtarit e të bashkëshortit/es) për të cilët ligji parashikon kufizime të posaçme ashtu si dhe për zyrtarët subjekt deklarimi. Nëpërmjet krijimit të një baze të dhënash, Inspektorati i Lartë tashmë zotëron informacion më të plotë mbi personat e lidhur me zyrtarin, ç’ka ka forcuar më tej mekanizmat e hetimit administrativ për evidentimin dhe shmangien e konfliktit të interesave të vazhdueshëm dhe rast pas rasti.

Deklarata e Konfliktit te Interesave per Operatorin Ekonomik

Në kuadër të bashkëpunimit të ILDKP me Agjencinë e Prokurimit Publik, në zbatim të  nenit 21.1 të Ligjit Nr.9367, date 7.4.2005 “Ndalimi i lidhjes se kontratave” është hartuar Deklarata e Konfliktit te Interesave per Operatorin Ekonomik, e cila nga muaji shkurt 2009 është bërë pjesë e dokumentave standarte të prokurimit publik. Në formatin e deklaratës janë detajuar kufizimet e interesave private të kategorive të caktuara zyrtarësh, të cilëve për shkak të funksionit të tyre publik, ju ndalohet që të përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë nga fondet publike. Me plotësimin e kësaj deklarate, përfaqësuesi i operatorit ekonomik deklaron nën përgjegjësinë e tij, se asnjë zyrtar i përcaktuar në Kreun III, Seksioni II të ligjit nr.9367, datë 7.4.2009, nuk zotëron interesa private në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me personin juridik që ai përfaqëson. Aplikimi i deklaratës së konfliktit të interesave për operatorët ekonomikë në dokumentat standarte, është një instrument i rëndësishëm për parandalimin e konfliktit të interesave në prokurimet publike.

Gjithashtu, Inspektorati i Lartë është në përfundim të projektit bashkëpunues me Agjencinë e Prokurimit Publik (APP), për shkëmbimin e të dhënave mbi operatorët ekonomikë që rezultojnë fitues në prokurimet publike. Mbështetur në bazën e të dhënave që zotëron Inspektorati i Lartë për “personat e lidhur” me zyrtarët, burimi i të cilave është “deklarata e interesave private periodike vjetore”, Inspektoratit të Lartë i shtohen mundësitë e evidentimit, parandalimit dhe dënimit të rasteve të konfliktit të interesave në fushën e prokurimeve publike.

Ekspertiza në terren

Inspektorati i Lartë, në zbatim të detyrimeve të tij ligjore, ka nisur praktikën e investigimit në terren të pasurive të paluajtshme, për të cilat ka të dhëna nga burime të ligjshme për fshehje pasurie apo për deklarim të rremë (Ligji Nr.9367, dt.7.4.2005, neni 18-Hetimi administrativ). Për këtë qëllim është ngritur një grup i posaçëm i përbërë nga Inspektorë të Lartë dhe Ndihmës Inspektorë të Lartë të ngarkuar me mbledhjen e të dhënave, kryerjen e hetimeve dhe kërkimeve administrative si dhe ndjekjen e vijueshmërisë së këtyre rasteve.

Për realizimin e hetimit në vend të pasurive të paluajtshme dhe verifikimit të vërtetësisë së deklarimeve të subjekteve deklarues, Inspektorit të Përgjithshëm i lind e drejta të thërrasë ekspertë të pavarur, të licencuar, të fushave të ndryshme, për të bërë rivlerësimin e pasurive (neni 29 i ligjit Nr.9049, dt.10.4.2003 – Thirrja e ekspertëve) në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative.

Në hetimet administative të kryera gjatë vitit 2009 për rastet e fshehjes së pasurisë apo deklarimit të rremë, thirrja e ekspertëve vlerësues të pasurive të paluajtshme të subjekteve të kontrolluar, ka ndihmuar në mbledhjen e provave bindëse në funksion të rezultateve të arritura nga ILDKP, duke përmirësuar cilësinë e kontrollit si dhe duke kryer një kontroll të plotë e të gjithëanshëm. Duke parë që aplikimi i “Thirrjes së ekspertit” solli rezultate pozitive, gjetje konkrete, edhe për vitin 2010, do të intensifikohet aplikimi i këtij instrumenti ligjor.

Deklarimi me kërkesë

Inspektorati i Lartë, me qëllim minimizimin e rasteve të mundshme të transferimit të interesave private të zyrtarëve, të krijuara në mënyrë abuzive, në emër të personave të tretë apo të justifikimit të pasurive me vlera të mëdha me “dhurata”, “huadhënie afatgjate pa interes”, etj., për disa raste të dyshuara, ka nisur aplikimin e “deklarimit me kërkesë”. Ky detyrim ligjor, i parashikuar në nenin 7 të Ligjit Nr.9049, datë 10.04.2003 “Për dekalrimin dhe kontrollin e pasurive…” konsiston në detyrimin për deklarim të pasurisë dhe burimet e krijimit të kësaj pasurie, të personave jo subjekte të ligjit, por që kanë lidhje interesi privat me zyrtarët. Duke hetuar mbi burimin e të ardhurave të personave jozyrtarë që kanë interesa të përbashkëta me subjektin, ILDKP është në gjendje që të krijojë një situatë më të qartë mbi burimin e pasurive të vetë zyrtarëve dhe zbulimin me efektivitet të rasteve të fshehjes apo deklarimit të rremë.

Gjatë vitit 2009 është aplikuar  1 deklarim me kërkesë.

Një vështirësi në zbatimin në praktikë të këtij instrumenti të rëndësishëm ligjor, është mungesa e sanksioneve në rast të refuzimit për deklarim të personave të lidhur me zyrtarin.

Në praktikën e deritanishme është konstatuar si një fenomen gjithmonë e më i përhapur fakti që, në deklarimet periodike të subjekteve të ligjit, pasqyrohen të ardhura në rrugë joformale, nëpermjet personave të lidhur si:

- Huamarrje dhe huadhënie në rrugë informale;

- Dhurata në vlera të konsiderueshme etj.

Për të verifikuar vërtetësinë e burimit të krijimit të këtyre të ardhurave del e nevojshme që ILDKP të administrojë dhe deklarimet e vetë këtyre personave të lidhur. Por mungesa në Kodin Penal, e masës shtrënguese dhe sanksionit në rast mosplotësimi të detyrimit për deklarim nga ana e personave të lidhur, u krijon kushte vetë subjekteve për t’i përdorur ata si burim, si dhe vetë këtyre të fundit mundësinë për mosplotësim të detyrimit, gjë që pengon vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve nga ana e ILDKP. Dispozita 257/a e Kodit Penal, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike”, nuk i jep zgjidhje rastit kur ndodhemi para një refuzimi nga ana e personit të lidhur me subjektin deklarues sepse, subjekt i figurës së veprës penale të “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimi…” është subjekt i posaçëm. Për këtë arsye, ILDKP ka propozuar amendimin e nenit 257/a të Kodit Penal duke shtuar si subjekte të veprës penale të “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimi…” edhe personat e lidhur me zyrtarin deklarues. Sanksionimi në nenin përkatës (257/a) të masave ndëshkuese edhe për personat e lidhur me zyrtarin, që mbartin detyrimin për deklarim sipas ligjit, mendojmë se do të ndikojë dukshëm në rritjen e efektivitetit të punës së Inspektoratit të Lartë; në verifikimin dhe hetimin administrativ të deklarimeve periodike të zyrtarëve, për të eliminuar mundësitë e shmangies së pasqyrimit jo real të interesave private pasurore dhe burimeve të krijimit të tyre. Propozimi ynë me objekt amendimin e dispozitës 257/a të Kodit Penal, është akoma në proces.

Mekanizmat e rinj kontrollues

Inspektorati i Lartë, në përmbushje të detyrimit të tij ligjor në funksion të kontrollit të deklarimeve të interesave private, ka zgjeruar numrin e institucioneve financiare publike e jopublike tek të cilët kërkon informacion mbi interesat private të zyrtarëve, subjekte deklarues. Tashmë, ILDKP ka në dispozicion të dhëna jo vetëm nga regjistrat publikë të institucioneve publike dhe bankat e nivelit të dytë, por edhe nga agjencitë private që kanë në qendër të aktivitetit të tyre administrim dhe transferim parash.

Inspektorati i Lartë, për llogari të hetimit administrativ për interesat private të zyrtarëve, tashmë merr informacion edhe nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) e kompanitë e telefonisë celulare, mbi shpenzimet e zyrtarëve për energji elektrike e telefonike. Gjithashtu, nëpërmjet kontratave me OSSH, Inspektorati i Lartë synon edhe zbulimin e rasteve të mundshme të mosdeklarimit të pasurive të paluajtshme nga zyrtarët. Verifikimit të shpenzimeve për udhëtimet jashtë vendit të zyrtarëve publikë, do i vijë në ndihmë sistemi “TIMS” i hyrje-daljeve, pas vendosjes së bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshmë të Policisë së Shtetit.

Një risi e rëndësishme në punën e Inspektoratit të Lartë është përdorimi i të dhënave të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR). Nëpërmjet gjeneraliteteve të “personave fizikë” apo të aksionerëve të “personave juridikë” privatë të regjistruar në QKR, Inspektorati i Lartë është në gjendje të evidentojë dhe parandalojë rastet e konfliktit të vazhdueshëm të interesave, i cili ka lidhje me papajtueshmërinë e funksionit të zyrtarit me interesat private të tij dhe të “personave të lidhur” me të.

Vështirësi për shkak të informalitetit

ILDKP gjatë kontrolleve të ushtruara për verifikimin e të dhënave të deklaratave të interesave private të subjekteve deklarues, ka konstatuar se problemet me informalitetin në regjistrimin e pasurive, sidomos të atyre të paluajtshme, krijojnë pengesë në efikasitetin e hetimeve të ndërmarra. Për këtë arsye, ILDKP në funksion të hetimit administrativ që ndërmerr mbi saktësinë dhe vërtetësinë e të dhënave të deklaratave të interesave private të zyrtarëve, në jo pak raste ka vijuar me aplikimin e mekanizmave alternativë. Në këtë kuadër, vlejnë për t’u përmendur rezultatet e arritura nga bashkëpunimi i krijuar me ALUIZNI-n, ku vetëdeklarohen për legalizim ndërtimet informale, nga ku ILDKP ka siguruar të dhëna për pasuritë e padeklaruara të disa zyrtarëve të lartë.

Ligji detyron subjektet deklarues që të deklarojnë pasuritë e tyre të paluajtshme dhe të drejtat reale mbi to, pavarësisht nga fakti nëse janë të regjistruara në regjistrat publikë ose jo. Nga kontrollet dhe verifikimet e fundit të kryera mbi bazën e të dhënave të siguruara nga ALUIZNI, konstatohet se, në disa raste pasuritë e vetëdeklaruara për legalizim në këtë agjenci nga subjektet e kontrolluara, nuk mbulohen dhe as justifikohen me të ardhurat e deklaruara prej tyre. Edhe për vitin në vazhdim, do të vijojë bashkëpunimi me ALUIZNI-n për verifikimin e objekteve në proces legalizimi.

Trajnimi i administratës publike

Në vijim të strategjisë institucionale, si edhe në përputhje me rekomandimet e Kuvendit të Shqipërisë për rritjen e mëtejshme të përgjegjshmërisë së zyrtarëve dhe Autoriteteve Përgjegjëse për zbatimin e ligjit mbi parandalimin e konfliktit të interesave, Inspektorati i Lartë gjatë vitit 2009 ka intensifikuar aktivitetin trajnues. Me inisiativën e ILDKP, në bashkëpunim me Institutin e Trajnimit të Administratës Publike (ITAP) dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, USAID dhe OSBE, janë trajnuar rreth 1 mijë zyrtarë të nivelit qendror e lokal për zbatimin korrekt të kërkesave ligjore për parandalimin e konfliktit mes detyrës publike dhe interesave private.

Vetëm gjatë periudhës tetor – dhjetor 2009, Inspektorati i Lartë në bashkëpunim me ITAP-in dhe me mbështetjen e OSBE Prezenca në Shqipëri, organizoi një seri seminaresh trajnuese me zyrtarë të institucioneve qendore dhe vendore, ku u trajnuan rreth 540 zyrtarë të niveleve të ndryshme të ministrive dhe institucioneve të tyre të varësisë (METE, M.Financave, M.Brendshme, MPPTT, M.Mjedisit); Në periudhën shtator – nëntor 2009 janë organizuar seminare trajnuese me zyrtarë të administatës së bashkive dhe të këshillave bashkiakë në Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë, Pogradec, Durrës, ku gjithsej ku trajnuan rreth 330 zyrtarë. Në nëntor në bashkëpunim me ITAP dhe me mbështetjen e USAID, u organizuan trajnime me 60 Autoritete Përgjegjëse të ministrive dhe të disa institucioneve të tjera qëndrore. Gjithashtu, në periudhën Shkurt-Mars 2009, ILDKP zhvilloi takime trajnuese për plotësimin e deklaratës së interesave private periodike/vjetore me zyrtarë të; D.P.Doganave; D.P.Tatimeve; Gjykatave dhe Prokurorive në 9 Qarqe të vendit, me një total prej rreth 500 zyrtarësh.

Njëkohësisht, asistencë teknike është ofruar për çdo subjekt deklarimi i në plotësimin e dokumentit zyrtar, i cili është paraqitur në ILDKP. ILDKP, ka ofruar asistencë tekniko-ligjore për rreth 120 Autoritete Përgjegjëse, për problematika të larmishme, ndër të cilat më kryesoret veçohen ndihmesa për mënyrën e plotësimit të deklaratës së interesave private, për raste të dyshuara të konfliktit të interesave, por edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me respektimin e afateve ligjore e për përcaktimin e zyrtarëve që janë subjekte të deklarimit të interesave private si dhe identifikimin, regjistrimin, trajtimin dhe zgjidhjen e rasteve të konfliktit të interesave në institucionet e tyre.

Në përmbushje të detyrimeve të ILDKP, për ndërgjegjësimin dhe njohjen sa më të mirë të kufizimeve dhe ndalimeve të parashikuara në ligj nga zyrtarët e administartës publike, janë hartuar dy manuale që i vijnë në ndihmë institucioneve, zyrtarëve për trajtimin dhe zgjidhjen e rasteve me konflikt interesi, si dhe shërbejnë si unifikues të praktikës së ILDKP:

  1. Manualit Shpjegues për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Prokurimet Publike”,
  2. Manuali për parandalimin e konfliktit të interesave në qeverisjen vendore
  3. Në proces finalizimi, Manuali i hetimit administrativ.
  • REZULTATET E HETIMIT KUNDËR KORRUPSIONIT

TË DHËNA MBI DEKLARIMIN DHE KONTROLLIN E INTERESAVE PRIVATE

Gjatë periudhës Janar – Dhjetor 2009, si rezultat i përfundimit të procesit të dorëzimit të deklaratave të interesave private, Inspektorati i Lartë ka administruar gjithsej 4964 deklarata të interesave private, nga të cilat:

3875 Deklarata Periodike/Vjetore;

680 Deklarata para Fillimit të Detyrës;

409 Deklarata pas Largimit nga Funksioni.

Një nga fazat e para të kontrollit të ushtruar për të gjitha deklaratat e interesave private, është përpunimi paraprak (neni 24 – Ligji Nr. 9049). Nga kontrolli paraprak i ushtruar, rreth 1042 deklarata rezultuan me probleme të tilla, si gabime materiale, plotësime të gabuara, ose mungesa në plotësime. Në zbatim të detyrimeve ligjore, ILDKP, thirri subjektet deklarues, i cili brenda 15 ditëve është i detyruar të bëjë ndreqjen e këtyre gabimeve.

 

Kontrolli Aritmetik e Logjik

Kontrolli aritmetik e logjik, kryhet për çdo deklarim të depozituar në ILDKP nga subjektet deklarues, për të verifikuar saktësinë e vlerësimit të pasurisë së deklaruar, saktësinë e burimeve financiare të deklaruara dhe mjaftueshmërinë e mbulimit të pasurisë nga burimet e deklaruar, si dhe ekzistencën e konfliktit të interesave. Nga deklaratat e interesave private të dorëzuara gjatë vitit 2009, (Periodike Vjetore 2008 dhe Para Fillimit 2009) kanë kaluar për kontroll aritmetik e logjik deri më 31.12.2009, 3811 deklarata, nga të cilat është përfunduar kontrolli për 3688 deklarata. Pra, është realizuar kontrolli i 96,7 % i numrit total të deklaratave.

 

Kontrolli i Plotë

Procesi i kontrollit të plotë, si një ndër proceset e rëndësishme të veprimtarisë të Inspektoratit  të Lartë, ushtrohet në zbatim të nenit 17 dhe 18 të ligjit nr.9367, datë 07.04.2005 “Për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike” (PKI), ku përcaktohen qartë shkaqet ligjore mbi bazën e të cilave subjektet  kalojnë në kontroll të plotë.

Gjatë vitit 2009 kanë kaluar për kontroll të plotë 355 subjektë deklarues, nga të cilat:

  • 30 subjekte deklarues për shkak të funksionit (neni 17/2 i ligjit PKI):
  • 165 subjekte deklarues të përzgjedhur nga shorti (neni 17/3 i ligjit PKI)
  • 107 subjekte deklarues për probleme të evidentuara gjatë kontrollit aritmetiko-logjik (neni 17/4 i ligjit PKI))
  • 52 subjekte deklarues për shkak të të dhënave nga burime të ligjshme, media, publiku, etj. (neni 17/5 i ligjit PKI)
  • 1 rast si “person i lidhur” me zyrtarin subjekt deklarues

Masat e ndërmarra nga ILDKP për forcimin e kapaciteteve investiguese dhe të instrumentave ligjorë, duke proceduar në raste të veçanta me hetim administrativ dhe duke vënë në lëvizje struktura të posaçme, kanë dhënë rezultate pozitive në evidentimin e rasteve të fshehjes së pasurisë dhe deklarimit të rreme.

ILDKP në përfundim të hetimit administrativ, ka dërguar në organin e prokurorisë kallzim penal për fillimin e ndjekjes penale ndaj 16 zyrtarëve të kategorive të ndryshme, për veprën penale të parashikuar në nenin 257/a i K.Penal “Refuzimi per deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive te personave te zgjedhur dhe nepunesve publike”, në zbatim të nenit 281 të Kodit të Procedurës Penale (Lidhja Nr.1):

  • 6 zyrtarë të kallzuar për kundërvajtje penale të parashikuar në paragrafin e parë të nenit 257/a
  • 10 zyrtarë të kallzuar për veprën penale të parashikuar në paragrafin e dytë të nenit 257/a të K.Penal

Pasuritë e fituara nga fshehja e detyrimeve fiskale

Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit të lidhur midis ILDKP dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, dhe në zbatim të nenit 32 të Ligjit Nr.9049, datë 10.04.2003, është intensifikuar bashkërendimi i punës dhe shkëmbimi i informacionit për rastet kur ILDKP ka kostatuar se pasuritë e fituara nga zyrtarë të ndryshëm jane rrjedhoje e fshehjes se detyrimeve fiskale, si rezultat i së cilës, në vijim të hetimit të ushtruar nga ILDKP, disa zyrtarë janë gjobitur nga organet tatimore, në vlera të konsiderueshme.

 

Masa administrative për vonesa në deklarimin e interesave private

Inspektorati i Lartë ka aplikuar masën administrative “gjobë” për mosdeklarim periodik në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, të zyrtarit ose personi të lidhur me të, që mbart detyrimin për deklarim, ndaj 37 zyrtarëve. Masa administrative “gjobë”, u mor dhe për mosdorëzim të deklaratës së interesave private “Pas Largimit”, ku subjekte të kësaj mase administrative ishin dhe disa zyrtarë të funksioneve të larta, si ish-deputetë, ish-drejtorë, etj. Megjithatë gjatë vitit 2009, në sajë të punës ndërgjegjësuese të ILDKP si dhe ofrimit të asistencës ligjore dhe teknike, vihet re një ndërgjegjësim i subjektëve deklarues për zbatim të afateve ligjore.

TË DHËNA MBI KONTROLLIN, EVIDENTIMIN, PARANDALIMIN DHE ZGJIDHJEN E RASTEVE TE KONFLIKTIT TË INTERESAVE

Inspektorati i Lartë, me cilësinë e Autoritetit Qëndor Përgjegjës për zbatimin e ligjit për parandalimin e konfliktit të interesave, ka përmirësuar dhe unifikuar praktikën e kontrollit të konfliktit të interesave duke rritur efektivitetin në zbulimin, trajtimin dhe zgjidhjen e situatave me konflikt interesi në rradhët e administratës publike.

(a) Kontroll i drejtëpërdrejtë mbi deklarimet e interesave private të subjekteve që mbartin detyrimin për deklarim, për ekzistencën e konfliktit të interesave;

Sipas përcaktimeve ligjore, kur në përfundim të procesit të kontrollit aritmetik e logjik, rezultojnë të dhëna që krijojnë dyshimin e arsyeshëm për ekzistencën e gjendjes së konfliktit të interesit, Inspektori i Përgjithshëm sipas rrethanës dhe nevojës ngarkon grupe pune për fillimin e hetimit administrativ me qëllim trajtimin dhe zgjidhjen e tyre.

Gjatë vitit 2009, pas verifikimit të konfliktit të vazhdueshmë në fazën e kontrollit aritmetik dhe logjik, kanë kaluar për veprime të mëtejshme 148 raste, nga të cilat kanë përfunduar vetëm 55 raste. Në këtë fazë rreth 64 raste janë në proces trajtimi dhe zgjidhje.  

(b) Verifikim dhe hetim administrativ të konfliktit rast për rast të interesave.

Gjithashtu, ILDKP ka nisur hetimin administrative për disa raste të dyshuara konflikti interesi dhe, në përfundim, janë ndërmarrë  sanksionet përkatëse “gjobë” për 8 zyrtarë të nivelit të lartë drejtues, pasi nuk kanë zgjidhur në kohën dhe mënyrën e duhur konfliktin ndërmjet funksionit publik dhe interesave të tyre private. Vendosja e sanksioneve përkatëse për rastet e evidentuara të konfliktit të interesave është pjesë e strategjisë së Inspektoratit të Lartë. Prej vitit 2005, kur hyri në fuqi ligji “Për parandalimin e konfliktit të interesave” deri në fund të vitit 2008, ILDKP ka vënë theksin në trajnimin e zyrtarëve për kuptimin e kërkesave ligjore. Duke filluar nga viti 2009 e në vijim, Inspektorati i Lartë, krahas trajnimit, aplikon edhe vendosjen e masave administrative të përcaktuara në ligj.

Gjithashtu, në periudhën 25 shkurt- 31 mars 2009, ILDKP ka ushtruar kontroll pranë Autoriteteve Përgjegjëse për parandalimin e konfliktit të interesave, mbi realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara në ligj, në 86 institucione të administratës publike. Gjatë kontrolleve janë konstatuar përmirësime në lidhje me marrëdhëniet me ILDKP, por vërehen akoma probleme në menaxhimin e proçesit të deklarimit të interesave private, veçanërisht vërehet nevoja e trajnimeve të vazhdueshme lidhur me ligjin e parandalimit të konfliktit të interesave dhe rolit konkret të këtyre strukturave në zbatim të tij.

(c) Verifikim, hetim dhe zbulim i rasteve të konfliktit të interesave në bashkëpunim me institucionet shtetërore dhe publiku i gjerë.

Nga kontrollet e ushtruara nga ILDKP në institucionet publike dhe bashkëpunimi me autorietetet pergjegjese te institucioneve e administratës publike janë evidentuar, trajtuar dhe parandaluar 121 raste,  nga informacionet e mbërritura prej Autoriteteve Përgjegjëse të institucioneve publike; nga informacionet e mbërritura në mënyra të ndryshme komunikimi me Inspektoratin e Lartë (postë, e-mail, telefonata, etj.); dhe nga media:

  • 19 raste është shmangur marrja në funksione të ndryshme e zyrtarëve që kishin interesave private që binin ndesh me funksionin publik. Informacion ka mbërritur në Inspektoratin e Lartë përmes bashkëpunimit dhe komunikimit të drejtpërdrejtë me Autoritetet  Përgjegjëse.
  • 17 raste konflikti interesi të paraqitura nga institucioneve të ndryshme të administratës publike, të trajtuara dhe konfirmuara ne Inspektoratin e Larte
  • 36 raste të evidentuara nga Autoritetet Përgjegjëse të institucioneve qendrore te administrates publike
  • 48 raste të evidentuara nga Autoritetet Përgjegjëse të administratës se pushtetit vendor (bashki, komuna, qark)
  • 1 rast konflikti interesi i ofruar nga media, i cili vijoi me një hetim të plotë administrativ.

 

Rregullimi i pasojave të akteve të marra në kushtet e konfliktit të interesave

Krahas rolit kontrollues dhe sanksionues që ushtron ILDKP mbi zyrtarët e administratës publike, lidhur me zbatimin korrekt të ligjit për parandalimin e konfliktit, ILDKP ka për detyrë edhe garantimin e vendimmarrjeve të drejta e të paanshme të administratës dhe realizimin e interesit më të mirë të publikut.

Në këtë kuadër, Inspektorati i Lartë ka konstatuar se duhet të vihen në lëvizje instrumenta ligjorë, që të veprojnë për rregullimin e pasojave juridike të akteve të marra në kushtet e konfliktit të interesave, në rastet kur institucionet përgjegjëse nuk i japin zgjidhje. Ky fenomen i konstatuar në të shumtën e rasteve, e bën të domosdoshëm nevojën që jo vetëm publiku/palët e prekura nga një akt i marrë në kushtet e konfliktit të interesave, të jenë më aktivë në denoncimin e rasteve konkrete, por edhe të kërkojnë ndërhyrjen e ILDKP, si Autoriteti Qëndror Përgjegjës për zbatimin e ligjit për parandalimin e konfliktit të interesave.  ILDKP, në vlerësim të të gjitha rasteve dhe denoncimeve të paraqitura nga palë të interesuara ose shoqëria civile, ka ndërmarr procedurat per fillimin e hetimit administrativ.

Në funksion të rritjes se efektivitetit të kontrolleve të ushtruara për rasteve të konfliktit të interesave dhe rregullimit të pasojave ligjore të akteve të marra në kushtet e konfliktit të interesave, ILDKP duhet të legjitimohet si palë, për fillimin e një procesi gjyqësor, me qëllim finalizimin e procedimit administrativ të filluar me nismën e tij, ose me kërkesë të palëve të interesuara, duke ndihmuar në rregullimin e pasojave juridike të një akti të marrë/nxjerrë në kushtet e konfliktit të interesave.

Ligji i parandalimit të konfliktit të interesave në nenin 40/6/a të tij, sanksionon detyrimin e institucioneve publike, që kur një akt i tyre bëhet i pavlefshëm për shkak të konfliktit të interesave, duhet të ndërmarrin procedurat e dënimit disiplinor të zyrtarëve që kanë vepruar me keqbesim; kalimin e barrës së dëmshpërblimit të dëmit të shkaktuar tek ky zyrtar, duke i kërkuar gjykatës sipas rastit vendosjen e një shpërblimi institucionit për dëmin moral të shkaktuar nga veprimet e paligjshme të këtij zyrtari; si dhe kallzim penal kur gjykohet se kemi të bëjmë me një vepër penale. Në rastet kur vet institucioni nuk e ndërmerr këtë nismë, vepron ILDKP në bashkëpunim me Avokaturën e Shtetit (neni 40/6/c). Në këtë kuadër, ILDKP në muajin mars 2009, ka nënkruar një marrëveshje bashëkpunimi me Avokaturën e Shtetit, për të konketizuar dhe koordinuar zbatimin në praktikë të këtij detyrimi ligjor.

  • KONSOLIDIMI I BRENDSHËM E NDËRKOMBËTAR

BASHKËPUNIMI BRENDSHËM KUNDËR KORRUPSIONIT

Problemet me organin e Prokurorisë

Një ndër rekomandimet kryesore të Kuvendit të Shqipërisë për aktivitetin e Inspektoratit të Lartë gjatë vitit 2009 ishte forcimi i bashkëveprimit me institucione të tjera, duke vënë theksin në raportet me organin e Prokurorisë, me qëllim parandalimin e korrupsionit dhe krimit ekonomik.

Në zbatim të këtij rekomandimi, por edhe në respektim të Memorandumit të Bashkëpunimit të nënshkruar mes dy institucioneve në vitin 2008, Inspektorati i Lartë është angazhuar maksimalisht për bashkëveprimin ndërinstitucional në luftën kundër korrupsionit. Kjo dëshmohet nga numri gjithnjë e në rritje i rasteve të kallëzimeve penale të dërguara nga ILDKP. Por gjatë vitit 2009, Inspektorati i Lartë është gjendur përballë një situate jo të favorshme për realizimin e qëllimit të punës së tij. ILDKP ka vënë re se, organi i prokurorisë aplikon standarte të ndryshme për raste të ngjashëm, pavarësisht se nga ana formale, proçedura e hetimit administrativ dhe vërtetimi me prova shkresore është i njëjtë për të gjithë rastet. ILDKP konstaton se për zyrtarë, kryesisht lokalë, prokuroria realizon një punë serioze për dërgimin e çështjeve për gjykim. Kjo inisiativë nuk vihet re për rastet kur ILDKP kallëzon penalisht zyrtarë të nivelit të lartë e që vërtetohet se nuk justifikojnë legjitimitetin e pasurive disamilionëshe të krijuara. Një statistikë e tillë evidentohet edhe nga shkresa e zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme, Drejtoria e Kontrollit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale nr.611/1 Prot.A.K, dt.19.02.2010, sipas të cilës rezulton se, nga 15 kërkesa për nisjen e procedimit penal të Inspektoratit të Lartë;

  • 11 procedime penale kanë përfunduar, nga të cilat 8 procedime janë dërguar për gjykim dhe 3 procedime janë pushuar
  • Nga 8 procedimet e dërguar për gjykim, janë shpallur fajtorë nga gjykatat 7 persona dhe është dhënë pafajësi për një person.

Nga informacioni i paraqitur, rezulton se 3 procedimet e pushuara nga organi i prokurorisë janë pikërisht zyrtarë të nivelit të lartë, të cilët nuk kanë mundur të justifikojnë me burime të ligjshme pasurinë e tyre që arrin në disa qindra mijëra euro.

- Ndërkohë, Inspektorati i Lartë ka forcuar bashkëpunimin me struktura të tjera publike për evidentimin e elementit korruptiv. Në muajin Maj 2009, Inspektorati i Lartë ishte një ndër gjashtë institucionet qendrore që firmosën Memorandumin e Bashkëpunimit për krijimin e Njësisë së Përbashkët Antikorrupsion, në përbërje të të cilit janë edhe; Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Brendshme, Ministria e Financave, Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në thelb të këtij akti është koordinimi dhe bashkërendimi ndërinstitucional për luftën kundër korrupsionit.

- Gjithashtu, në kuadër të bashkëveprimit institucional, në Mars 2009, Inspektorati i Lartë ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi edhe me 4 agjenci të tjera shtetërore; a) Me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave; b) me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve; c) me Avokaturën e Shtetit; d) me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

- Inspektorati i Lartë, vlerëson bashkëpunimin e mirë dhe korrekt të krijuar me të gjitha institucionet bankare, institucionet financiare jo bankare si dhe organet qe administrojnë regjistrat publikë. Bashkëveprimi me këto institucione paraqet një rëndësi të veçantë në punën investiguese të ILDKP, sidomos në rastet e hetimit për fshehje të detyrimeve apo transaksione financiare bankare të kryera nga subjektët deklarues apo nga personat e lidhur me ta.

- Gjithashtu, vlen për t’u vlerësuar rezultatat e arritura nga bashkëpunimi i ILDKP me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për zbulimin dhe dënimin e zyrtarëve që kanë krijuar pasuri nga ushtrimi i veprimtarive të paligjshme.

- Nga ana tjetër, në kuadër të  marrëveshjes së bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave është intensifikuar bashkërendimi dhe koordinimi i punës për shkëmbimin në kohë të çdo informacioni të nevojshëm, për çdo parregullsi apo dyshim të arsyeshëm, të konstatuar gjatë kontrolleve.

- ILDKP, me mbështetjen dhe financimin e partnerëve ndërkombëtarë, organizoi tryeza të rrumbullakëta me institucione të ndryshme (INSTAT, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit) gjatë periudhës shkurt – prill.

- Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit me strukturat përgjegjese në luftën kundër korrupsionit dhe forcimit të kapaciteteve investiguese, stafi i hetimit administrativ të Inspektoratit të Lartë, së bashku me përfaqësues të Njësisë së Përbashkët Hetimore të Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, morën pjesë në një takimin 3 ditor organizuar nga USAID dhe OPDAT mbi investigimin dhe hetimin administrativ.

- Inspektorati i Lartë është bërë pjesë e disa tryezave të rrumbullakëta të organizuara nga OPDAT mbi pastrimin e parave dhe hetimin e financiar; në aktivitetin trajnues organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave në kuadër të Projektit të Binjakëzimit me Zyrën Kriminale Federale të Gjermanisë me temë “Për luftën kundër pastrimit të parave dhe krimeve finaciare”; në seminarin me temë “Mbrojtja e të dhënave personale për policinë dhe bashkëpunimi gjyqësor për çështjet kriminale” organizuar me rastin e ngritjes së zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, etj.

BASHKËPUNIMI NDËRKOMBËTAR

Gjatë vitit 2009, ILDKP ka qenë mjaft aktive në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar. Inspektorati i Lartë, për vitin raportues, ka qenë në rolin e institucionit ekspert, gjë e cila është bërë e dukshme nga vizitat e përfaqësuesve të nivelit të lartë të institucioneve homologe të Malit të Zi, të Kosovës, të Ukrainës dhe të Kirgiztanit. Njëkohësisht, përfaqësues të Inspektoratit të Lartë janë ftuar në seminare, konferenca rajonale, trajnime dhe simpoziume të ndryshme, në vende të tilla, si në Serbi, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Ukrainë, Kinë, etj.

Me qëllim forcimin e bashkëpunimit me struktura të tjera që kanë si qëllim luftën për parandalimin e elementit korruptiv, Inspektorati i Lartë ka nënshkruar në muajin Maj 2009 ka firmosur Memorandum Bashkëpunimi me zyrën homologe të Sllovenisë, si edhe ka intensifikuar marrëdhëniet me agjencitë e Malit të Zi dhe Kosovës.

 

  • TRANSPARENCA

 

Në kuadër të strategjisë institucionale dhe rekomandimeve të Kuvendit të Shqipërisë për forcimin e bashkëpunimit dhe mbështetjes mdak shoqërisë civile dhe medias për rastet korruptive, Inspektorati i Lartë është angazhuar maksimalisht në realizimin e transparencës.

1. Për herë të parë një institucion, që ka për objekt të punës së tij, investigimin, realizoi një aktivitet të një niveli të lartë transparence. Në prill 2009, me mbështetjen e partnerëve tanë (USAID), në ambjentet e ILDKP, u organizua “ILDKP, me dyer të hapura”, në të cilën qytetarët e thjeshtë, përfaqësues të medias dhe të shoqërisë civile, u njohëm nga afër mënyrën e funksionimit të institucionit. Pjesëmarrja e lartë në këtë aktivitet dëshmoi për vlerësimin e këtij aktiviteti. Një ndër elementët më të rëndësishëm të aktivitetit ishte realizimi transparent i shortit për përzgjedhjen e 4 për qind të zyrtarëve që do të kalonin për kontroll të plotë, një detyrim ligjor i përcaktuar në nenin 17, pika 3, 4,  të ligjit për “Parandalimin e Konfliktit të Interesave…”. Përzgjedhja elektronike e emrave të zyrtarëve në short u realizua nga vetë publiku i pranishëm në aktivitet duke demostruar transparencë maksimale me publikun e gjerë.

2. Në kuadër të bashkëpunimit me median dhe shoqërinë civile, me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtare (USAID), ILDKP organizoi tre takime rajonale në Vlorë, Shkodër dhe Korçë. Tema e trajtuar gjerësisht ishte “Media, shoqëria civile dhe ILDKP – bashkëpunojnë për zbulimin e rasteve të konfliktit të interesave dhe deklarimit të pasurisë”. Këto aktivitete, shërbejnë për konsolidimin e mëtejshëm të raporteve ndërmjet institucionit dhe aktorëve të shoqërisë civile.

3. Në datën 9 Dhjetor 2009, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, ILDKP në bashkëpunim me Organizatën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian (OSBE), organizoi një takim me përfaqësues të institucioneve kryesore të investigimit dhe organizatat joqeveritare  me qëllim forcimin e bashkëpunimit të institucioneve publike  me shoqërinë civile për krijimin e strategjive mbi përmirësimin e imazhit publik të administratës shtetërore dhe arritjes së suksesit në luftën kundër korrupsionit.

4. Po kështu, në vijim të transparencës me publikun, ILDKP ka vënë në dispozicion të publikut numrin falas (0800 9999) si dhe adresës së e-mail (unedenoncoj@www.hidaa.gov.al) me qëllim denoncimin e aferave korruptive për pasuri të fshehura dhe konstatimit të rasteve të konfliktit të interesave në rradhët e administratës publike.

5. Në periudhën Janar-Dhjetor 2009, Inspektorati i Lartë ka vënë në dispozicion të medias, shoqërisë civile e personave të tjerë të interesuar rreth 1000 fotokopje të deklaratave të interesave private për zyrtarë të niveleve të ndryshme si dhe ka mbështetur dy organizata joqeveritare shqiptare, për hartimin e raporteve të tyre mbi deklarimin e pasurive të zyrtarëve të niveleve të ndryshme.

7. Inspektorati i Lartë ka qenë aktiv në median e shkruar dhe vizive, me njoftime të herëpashershme lidhur me jo vetëm me akvititetin e tij institucional, por dhe me problematikën institucionale.

·         PERFORMANCA FINANCIARE

ILDKP, në lidhje me performancën financiare buxhetore, ka vepruar në zbatim të buxhetit të shtetit të vitit 2009, duke u mbështetur në kërkesat dhe nevojat institucionale me të domosdoshme, si dhe në zbatim të detyrimeve ligjore të parashikuara në kuadrin ligjor institucional.

Në mbështetje të Ligjit Nr.10025, datë 27.11.2008 “Për buxhetin e vitit 2009” dhe të Udhëzimit Nr.2, datë 12.01.2009, “Për buxhetin e shtetit për vitin 2009”, Inspektoratit të Lartë, i është akorduar një fond i planifikuar prej 93 milionë e 101 mijë e 520  lek. Nga fondi i përgjithshëm buxhetor, për periudhën e raportuar, pra vitin 2009, Inspektorati i Lartë, ka realizuar vlerën buxhetore në 88,195,506 lek, sipas zërave të veçantë, të parashikuar në buxhet, duke vepruar ne përputhje të plotë me kërkesat ligjore.

Në realizimin e shpenzimeve operative, Inspektorati i Lartë është mbështetur në një shpërndarje sa më racionale të kërkesave, të cilat lidhen me :

- Verifikimin dhe hetimin administrativ të interesave private të zyrtarëve brenda dhe jashtë vendit;

- Rritjen dhe kualifikimin profesional të vetë punonjësve të Inspektoratit të Larte;

- Rritjen dhe kualifikimin profesional të Autoriteteve Përgjegjëse dhe zyrtarëve të institucioneve të ndryshme nëpërmjet organizimit të trajnimeve dhe seminareve;

- Rritjen e nivelit dhe standarteve të transparencës, si një ndër elementët e rëndësishëm në evidentimin dhe parandalimin e konfliktit të interesave;

- Realizimin e shpenzimeve për publikime të ndryshme;

- Realizimin e shpenzimeve, të detyrueshme- taksa e tatime, energji elektrike, ujë, shërbime postare e telefonike falas për publikun, në funksion të një veprimtarie  normale institucionale;

- Rritjen e përmirësimit të regjistrimit, ruajtjes dhe teknologjisë informatike.

Realizimi i shpenzimeve operative për periudhën raportuese është në masën 99.8% e fondit  të  akorduar për institucionin tonë. Kursimi i realizuar në shpenzimet operative, megjithëse rritja e çmimeve të artikujve dhe shërbimeve për vitin 2009 ka patur impakte, ka ardhur si rezultat i kursimeve në procesin e prokurimeve dhe i përdorimit racional sipas nevojave konkrete të institucionit.

Ju faleminderit!

© Copyright 2011 ILDKP, All Right Reserved