Albanian English

Raport 2010

 

RAPORT VJETOR    

I INSPEKTORATIT TE LARTE TE DEKLARIMIT DHE KONTROLLIT TE PASURIVE   

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) në realizim të qëllimit të tij ligjor për kontrollin e interesave private të të zgjedhurve dhe disa nëpunësve publikë, si dhe në funksion të evidentimit, shmangies e parandalimit të konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike, gjatë vitit 2010 është angazhuar maksimalisht në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të tij institucionale.    

  • VIZIONI

ILDKP ka vepruar në përmbushje të detyrimeve ligjore të përcaktuara në dy ligjet bazë që rregullojnë veprimtarinë e këtij institucioni, Ligji Nr.9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” dhe Ligji Nr.9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, si edhe duke iu përmbajtur në mënyrë rigoroze rekomandimeve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të paraqitura në Rezolutën ”Për vlerësimin e punës së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për vitin 2009”.   

            Gjithashtu, në zbatim të përgjegjësive ligjore, ILDKP i është referuar edhe rekomandimeve të Komisionit Evropian, i cili në Progres-Raportin për Shqipërinë, të publikuar në muajin Nëntor 2010, shprehet: “ILDKP ka filluar të prodhojë rezultate të kënaqshme. Megjithatë, është domosdoshmëri forcimi i ligjit dhe bashkëpunimi me prokurorinë për një analizë më të plotë në investigimin e pasurive të deklaruara”.   

  • METODOLOGJIA

Në aktivitetin e tij profesional, Inspektorati i Lartë gjatë vitit 2010 ka pasur prioritet të tij parandalimin dhe shmangien e konfliktit të interesave në administratën publike. Në këtë drejtim, ILDKP është angazhuar për forcimin e kapaciteteve institucionale, duke zhvilluar seminare trajnuese me zyrtarë të administratës qendrore e lokale në qarqe kryesore të Shqipërisë. Në bashkëpunim me organizmat ndërkombëtarë, USAID e OSBE, Inspektorati i Lartë ka trajnuar mbi evidentimin, parandalimin dhe shmangien e konfliktit të interesave mbi 600 zyrtarë, pjesa më e madhe e të cilëve janë punonjës të disa ministrive qëndrore.   

   

     Inspektorati i Lartë, në çdo kohë ka treguar gatishmëri për t’i ofruar asistencë ligjore zyrtarëve të ndryshëm për parandalimin dhe shmangien e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.   

Trajtimi dhe parandalimi i konfliktit të interesave   

Impenjimi në këtë drejtim ka dhënë rezultatet pozitive; në funksion të parandalimit të konfliktit të interesave, por dhe të përmbushjes së detyrimeve ligjore, të parashikuara në ligjin mbi konfliktin e interesave, për vitin 2010, janë dhënë interpretime për trajtim dhe zgjidhje të rasteve konkrete, si më poshtë:        

 - 38 raste të përcjella për interpretim dhe zgjidhje nga zyrtarët, institucionet, Autoritetet  Përgjegjëse të institucioneve etj.

 - 47 raste të dyshuara për konflikt interesi të paraqitura nga institucione të ndryshme të administratës publike (kryesisht në administratën tatimore e doganore), të trajtuara dhe interpretuara në bashkëpunim me Inspektoratin e Lartë.

 - 110 raste të trajtuara me Autoritetet Përgjegjëse të institucioneve qendrore e të qeverisjes vendore (bashki, komuna, qark) gjatë takimeve periodike të zhvilluara në to, në kuadër të parandalimit në kohë të rasteve të konflikit të interesave.   

RASTE TE TRAJTUARA DHE TE PARANDALUARA    

TE KONFLIKTIT TE INTERESAVE   

     

     

   

Krahas rolit parandalues, Inspektorati i Lartë ka ushtruar dhe kompetencat e tij ndëshkuese, ku herë pas here ka aplikuar masa administrative për zyrtarë publikë të gjendur në kushtet e konfliktit të interesave. Nësë do i referohemi një performance statistikore, do të kemi:   

-          në shkurt-qershor, u vendos masa administrative “gjobë” për 18 zyrtarë, të cilët, pas kryerjes së verifikimeve dhe mbledhjes së dokumentacionit përkatës, rezultuan që nuk e kanë shmangur konfliktin e interesave brenda afatit të përcaktuar dhe sipas parashikimeve ligjore. Disa nga këto zyrtarë, ndaj të cilëve u mor masa administrative, janë punonjës të administratës tatimore dhe doganore dhe drejtues të pushtetit vendor.   

-          në korrik, është konstatuar dhe vendosur masa administrative “gjobë” për 2 zyrtarë të qeverisjes vendore (konkretisht Bashkia Sarandë) të cilët dhanë dorëheqjen nga funksionet publike, pasi ushtronin njëkohësisht edhe profesionin e “ekspertit kontabël” për disa shoqëri tregtare, një pjesë e të cilave kishin përfituar fonde publike në procedurat tenderuese të zhvilluara në institucionin e tyre.    

-          Po këtë periudhë është dhe rasti i 1 zyrtari drejtues i një ndërmarrje shtetërore në të njëjtën njësi administrative, i cili pasi ka rezultuar në kushtet e konfliktit të interesit, ka bërë zgjidhjen e këtij konflikti, papajtueshmëri funksionale, duke u tërhequr nga ushtrimi aktiv i profesionit të lirë privat.   

-          Një zyrtar i zgjedhur deputet, është gjobitur me 300.000 lekë gjobë, për shkak të konfliktit të interesave, në kohën e ushtrimit të funksionit si Ministër, pasi ka emëruar si anëtar i një këshilli mbikqyrës në varësi të institucionit të tij, personin që pak ditë para emërimit, kishte marrë në administrim kapitalet e bashkëshortes së zyrtarit, me cilësinë e  “personit të besuar”.   

-          Kryetar i Bashkisë Ura Vajgurore është gjobitur në shumën 200.000 lekë, për shkak se ka marrë pjesë në shqyrtimin dhe diskutimin e kërkesës për leje ndërtimi të shoqërisë ndërtuese me ortak vëllain e tij.   

    

    

MASA ADMINISTRATIVE “GJOBE” PER KONFLIKT INTERESIT   

Gjoba për konflikt interesi në v.2009 Gjoba për konflikt interesi në v.2010
8 raste 20 raste

Të dhëna për vitin 2010  

  

  

   

Roli i Autoriteteve Përgjegjëse   

Trajnimi i zyrtarëve dhe Autoriteteve Përgjegjëse ka rritur në mënyrë të ndjeshme kapacitetet e vetë institucioneve për evidentimin dhe parandalimin e konfliktit të interesave. Vetëm Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në bashkëpunim të ngushtë me Inspektoratin e Lartë, ka evidentuar, parandaluar dhe zgjidhur rreth 120 raste të konfliktit të interesave në administratën e këtij institucioni.   

Gjithashtu, raste të konfliktit të interesave, kanë zgjidhur edhe institucionet:   

- 1 rast             Agjencia e Prokurimit Publik   

- 2 raste          Bashkia Tiranë   

- 1 rast            Banka e Shqipërisë   

- 1 rast            Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta   

- 10 raste të dyshuara të konfliktit të interesave në Ministrinë e Mbrojtjes janë ende në shqyrtim të përbashkët me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive   

Ndërkohë, shumë institucione të tjera, të nivelit qendror e lokal, kanë rritur ndjeshmërinë e tyre përsa i përket shmangies së konfliktit të interesave. Megjithatë, numri i rasteve të referuara për shmangie dhe zgjidhje të konfliktit të interesave është larg pritshmërisë së kërkuar nga opinioni publik. Inspektorati i Lartë, është Autoriteti Qendror Përgjegjës për parandalimin e konfliktit të interesave, por krahas rolit kontrollues dhe ndëshkues,  institucioni harton dhe strategjitë për zbatimin e ligjit. Gjithësesi, është detyrë e vetë institucioneve publike të marrin masat për shmangien e konfliktit mes funksionit publik dhe interesave private të zyrtarëve që janë pjesë e organikës së tyre.   

Inspektorati i Lartë, i cili aktualisht është duke ushtruar kontroll pranë Autoriteteve Përgjegjese, strukturës që koordinon veprimet dhe bashkëpunon me ILDKP, në rreth 90 institucione qendrore, konstaton se kanë vështirësi në aplikimin në praktikë të kërkesave të ligjit.   

Për të krijuar lehtësira në zbatimin e detyrave lidhur me parandalimin e konfliktit të interesave, Inspektorati i Lartë ka kërkuar gjatë vitit 2010, ndër të tjera, amendimin e ligjit nr.9367, dt. 7.4.2005, të cilat konsistojnë në fuqizimin e këtyre strukturave; vlerësimin vjetor të punës së tyre, si edhe, në rast lëvizje të mundshme të tyre nga pozicioni i punës, të merret paraprakisht edhe mendimi i Inspektoratit të Lartë.   

Nëpërmjet këtyre amendimeve për rolin e Autoritetit Përgjegjës, synohet angazhimi i mëtejshëm i tyre në parandalimin e konfliktit të interesit dhe korrupsionit në administratën publike. Duke qenë se këto struktura janë një hallkë shumë e rëndësishme në zinxhirin e shmangies së konfliktit të interesave, ILDKP shpreh bindjen se miratimi sa më i shpejtë i këtyre amendimeve, do të rrisi ndjeshëm rezultatet pozitive.   

            Asistenca teknike për zyrtarët   

Stafi i ILDKP ka qenë i angazhuar edhe në ofrimin e asistencës teknike e ligjore për mënyrën e plotësimit të deklaratës të interesave private, si edhe në ndërgjegjësimin e subjekteve për respektimin e afateve ligjore për dorëzimin e këtij dokumenti zyrtar. Si rrjedhojë, në vitin 2010 është vënë re një rënie në rreth 70%, në krahasim me një vit më parë, të zyrtarëve, të cilët rithirren në Inspektoratin e Lartë për shkak të gabimeve teknike gjatë plotësimit të formularit të pasurisë.   

Gjithashtu, edhe numri i zyrtarëve të gjobitur për shkak të vonesa në dorëzimin e deklaratës së interesave private ka ardhur në ulje. Më konkretisht, gjatë vitit raportues, ILDKP ka aplikuar masën “gjobë” për 46 subjekte për mosrespektim të afateve ligjore.   

            Mekanizmat kontrollues   

            Kuvendi i Shqipërisë, në Rezolutën për Inspektoratin e Lartë për vitin 2010, kërkon “forcimin e mëtjeshëm të instrumenteve të investigimit administrativ, sidomos në sektorë të jetës publike, ku fenomeni i korrupsionit është më i përhapur dhe besimi i publikut më i ulët”. Në zbatim të këtij rekomandimi, Inspektorati i Lartë,  ka shtuar ndjeshëm aplikimin e hetimit në terren të pasurive të zyrtarëve të ndryshëm, si një ndër masat për zbulimin e pasurive të zyrtarëve, për të cilat ka dyshime të arsyeshme se janë krijuar si pasojë e veprimeve abuzive dhe korruptive. Kjo masë është një ndër më të rëndësishmet që po aplikon Inspektorati i Lartë dhe, bazuar në informacionin që mblidhet, po jep rezultate konkrete.   

Gjithashtu, vlen të përmendet fakti që formulari i “deklarimit rast pas rasti” të konfliktit të interesave, i hartuar një vit më parë nga Inspektorati i Lartë në bashkëpunim me Agjencinë e Prokurimit Publik, dhe që tashmë është dokument standart për çdo procedurë prokurimi, ka ulur në mënyrë të ndjeshme rastet e abuzimit në radhën e zyrtarëve publikë. Në formatin e deklaratës janë detajuar kufizimet e interesave private të kategorive të caktuara zyrtarësh, të cilëve për shkak të funksionit të tyre publik, ju ndalohet që të përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë nga fondet publike. Me plotësimin e kësaj deklarate, përfaqësuesi i operatorit ekonomik deklaron nën përgjegjësinë e tij, se asnjë zyrtar i përcaktuar në Kreun III, Seksioni II të ligjit nr.9367, datë 7.4.2009, nuk zotëron interesa private në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me personin juridik që ai përfaqëson. Aplikimi i deklaratës së konfliktit të interesave për operatorët ekonomikë në dokumentat standarte, është një instrument i rëndësishëm për parandalimin e konfliktit të interesave në prokurimet publike.     

Bashkëpunimi i brendshëm   

Inspektorati i Lartë, për të forcuar rolin parandalues ndaj korrupsionit,  ka vijuar bashkëpunimin e ngushtë me institucione të tjera publike e me organizma joqeveritare. Më konkretisht, gjatë vitit 2010, institucioni ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me:   

-          Me Zyrën e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për respektimin e parimeve ndërkombëtare të ruajtjes së etikës së zyrtarëve   

-          Me Këshillin e Lartë të Drejtësisë u riafirmua edhe njëherë vendosmëria për hetim të thelluar dhe nisja e një serie të gjatë kontrolli dy-palësh mbi interesat private të gjyqtarëve.   

-          Departamentin e Brendshëm Antikorrupsion të Këshillit të Ministrave, për shkëmbim të dhënash mbi raste të dyshuara korruptive.   

Gjatë vitit 2010, Inspektorati i Lartë është fokusuar në bashkëpunim konkret dhe rigoroz me Njësinë e Përbashkët Task-Force kundër korrupsionit pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe me institucione të tjera, si Qendra Kombëtare e Regjistrimit, Qendra Kombëtare e Liçensimit, Agjencia e Prokurimit Publik, etj. Për të krijuar një bazë më të hollësishme të dhënash mbi pasuritë e zyrtarëve, Inspektorati i Lartë ka përfshirë në radhën e institucioneve bashkëpunuese edhe disa institucione financiare jobankare, të cilët kanë dëshmuar korrektesë maksimale për çdo kërkesë të bërë nga ana e institucionit tonë.   

Inspektorati i Lartë, përmes mbështetjes financiare të partnerëve ndërkombëtarë, kryesisht USAID dhe OSBE Prezenca në Shqipëri, ka qenë mjaft aktiv në hartimin dhe publikimin e materialeve ndërgjegjësuese, në funksion të drejtëpërdrejtë të rolit parandalues. Kështu Inspektorati i Lartë ka finalizuar:   

-          Manualin nr.4 mbi hetimin administrativ dhe trajtimin e rasteve të veprave penale në fushën e deklarimit të interesave private, dhe   

-          Komentarin Ligjor nr.5   

                     Pavarësisht nismave të ndërmarra nga Inspektorati i Lartë lidhur me përmirësimin e teknikave hetuese, edhe gjatë vitit 2010, në praktikën institucionale është konstatuar që në deklarimet periodike të subjektëve deklarues, pasqyrohen të ardhura në rrugë joformale, nëpërmjet personave të lidhur, si psh, dhurata në vlerat të konsiderueshme, huamarrje apo huadhënie në rrugë informale, etj.   

                Verifikimi për vërtetësinë e burimit të krijimit të këtyre të ardhurave paraqet si domosdoshmëri administrimin e deklarimit të vetë personave të lidhur me zyrtarin. Aplikimi i këtij detyrimi ligjor është përmbushur nga ana e institucionit dhe kjo vihet re në rritjen e numrit të deklarimeve me kërkesë, krahasuar me vitin e kaluar. Por, ky mekanizëm nuk mund të aplikohet në mënyrë të plotë nga ana e Inspektoratit të Lartë, pasi, për personat e lidhur me zyrtarin që refuzojnë të bëjnë deklarimin e interesave private, nuk ka asnjë sanksion në Kodin Penal. Kjo ka ndikuar që në disa raste hetimi, sidomos në ato për të cilat ka pasur një ndjeshmëri të lartë edhe në opinionin publik, Inspektorati i Lartë nuk ka arritur të japë konkluzione të plota. Për këto raste refuzimi, ILDKP ka aplikuar të vetmin mjet ligjor që ka në dispozicion, vendosjen në 3 raste të masës administrative “gjobë”, e cila është në vlerë të vogël dhe lehtësisht e përballueshme nga personat e lidhur me subjektet që refuzojnë të deklarojnë interesat private në ILDKP.   

               Për përmirësimin e hetimit në këtë drejtim, por edhe për problematika të tjera që janë konstatuar gjatë procesit të investigimit, Inspektorati i Lartë ka paraqitur prej disa kohësh propozimin për amendimin e dy ligjeve mbi të cilët funksionon, si edhe të nenit 257/a të Kodit Penal, ku të përcaktohen sanksione penale për personat e lidhur me zyrtarin që refuzojnë të deklarojnë pasurinë.   

               Forcimi i kapaciteteve investiguese   

Kuvendi i Shqipërisë, në rekomandimet për vitin 2010 për Inspektoratin e Lartë, kërkoi; “propozimin e ndryshimeve të nevojshme në legjislacion për rregullimin e pasojave juridike të shkaktuara nga situatat me konflikt interesi dhe për ndëshkimin e zyrtarëve apo personave të lidhur me ta, përgjegjës për konfliktin e interesit”.   

Referuar kësaj kërkese, si edhe nisur nga vështirësitë e hasura gjatë zbatimit në praktikë të dy ligjeve mbi të cilët funksionon institucioni, ka paraqitur projekt-amendimet përkatëse, me qëllim forcimin e rolit parandalues, kontrollues dhe ndëshkues të institucionit. Nëpërmjet amendimeve, synohet saktësimi në secilin ligj të detyrimeve konkrete, përgjegjësitë, mjetet e procedurat ligjore për zbatimin e tyre në praktikë si dhe sanksionet për shkelje të caktuara, duke shmangur referimet e tepërta dhe duke i bërë të dy ligjet  më të plotë, efektive dhe më të saktë nga pikëpamja e teknikës legjislative.   

Ligji i parandalimit të konfliktit të interesave   

Projekt ndryshimet e paraqitura në ligjin nr.9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” i ndryshuar, synojnë forcimin e efektivitetit në shmangien e konfliktit të interesave në administratën publike, ku theksojmë:   

-       Parashikimin e instrumenteve ligjore per goditjen e aktit të nxjerrë në kushtet e konfliktit të interesave dhe legjitimimin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive si palë në gjykim,   

-       Aplikimin e masave ndëshkuese për situatat e konfliktit të interesave për raste dhe vendimmarrje të vecanta, ku interesat private të zyrtarëve ndikojnë në kryerjen e detyrave publike.   

-       Forcimi i kapaciteteve dhe rritja e rolit të Autoriteteve Pergjegjese për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.   

-       Forcimin e kufizimeve dhe ndalimeve të interesave private të të zgjedhurve të qeverisjes vendore   

Zbatimi në praktikë i ligjit për konfliktin e interesave ka hasur vështirësi në goditjen e rasteve të konfliktit të interesave. Konstatimi dhe ndëshkimi i zyrtarëve, të cilët kanë vepruar në kushtet e konfliktit të interesave, nuk vijon në të njëjtin ritëm me goditjen e aktit. Institucionet publike, të cilat kanë përgjegjësinë për goditjen e aktit të marrë në kushtet e konfliktit të interesave në përgjithësi nuk e ushtrojnë këtë detyrim ligjor, duke mos dhënë rezultatet e pritshme në luftën kundër korrupsionit.     

Inspektorati i Lartë ka konstatuar se duhet të vihen në lëvizje instrumente ligjorë, që të veprojnë për rregullimin e pasojave juridike të akteve të marra në kushtet e konfliktit të interesave, në rastet kur institucionet përgjegjëse nuk i japin zgjidhje. Ky fenomen i konstatuar në të shumtën e rasteve, e bën të domosdoshëm nevojën që jo vetëm individi/palët e prekura nga një akt i marrë në kushtet e konfliktit të interesave, të jenë më aktivë në denoncimin e rasteve konkrete, por edhe të kërkojnë ndërhyrjen e ILDKP, si Autoriteti Qendror Përgjegjës për zbatimin e ligjit për parandalimin e konfliktit të interesave.    

Në funksion të rritjes së efektivitetit të kontrolleve të ushtruara për rasteve të konfliktit të interesave dhe rregullimit të pasojave ligjore të akteve të marra në kushtet e konfliktit të interesave, Inspektorati i Lartë duhet të legjitimohet si palë, për fillimin e një procesi gjyqësor, me qëllim finalizimin e procedimit administrativ të filluar me nismën e tij, ose me kërkesë të palëve të interesuara, duke ndihmuar në rregullimin e pasojave juridike të një akti të marrë/nxjerrë në kushtet e konfliktit të interesave.    

Propozimi për amendime të ligjit ka të parashikuar legjitimimin e Inspektoratit të Lartë si palë për rregullimin e pasojave juridike të akteve të nxjerra në kushtet e konfliktit të interesave, duke realizuar në këtë mënyrë një performancë më të lartë në parandalimin dhe shmangien e plotë të konfliktit të interesave.    

    

Ligji i deklarimit dhe kontrollit të pasurive   

Projektamendimet e paraqitura nga Inspektorati i Lartë, mbi ligjin nr.9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” i ndryshuar,  synojnë forcimin e mekanizmave ligjorë dhe intensifikimin e procedurave ligjore në drejtim të verifikimit të interesave private të zyrtarëve që mbartin detyrimin për deklarim dhe personave të lidhur , ku theksohet:   

-         Përfshirja në rrethin e subjekteve deklarues të drejtuesve të sektorit të shëndetësisë, arsimit apo institucione të tjera të rëndësishme në nivel qarku, të cilët ushtrojnë funksionet e tyre publike në fusha që kanë një ndikim të drejtpërdrejtë mbi publikun dhe me risk të lartë për përfshirjen në situata korruptive.   

-         Gjithashtu synohet që si subjekt i “Deklarimit me kërkesë” të përfshihet “bashkëjetuesi”, sipas kuptimit të neneve 163 dhe 164 të Kodit të Familjes, në rrethin e personave që detyrohen të deklarojnë interesat private, me kërkesë të Inspektorit të Përgjthshëm kur rezultojnë persona të lidhur me subjektin që mbart detyrimin për deklarim.   

-         Përcaktimi i skemës se si do të kryhet kontrolli i plotë mbi subjektet që mbartin detyrimin për deklarim   

-         Vendosjen para përgjegjësisë ligjore të familjarëve të zyrtarëve për raste të “refuzimit për deklarim” ose të “fshehjes së pasurisë”   

-         Propozime të nevojshme në kuadër të garantimit të pavarësisë dhe integritetit institucional.   

-         Forcimi i masave ndëshkuese administrative për rastet e shkeljes së procesit të deklarimit dhe afateve ligjore nga ana e subjekteve deklarues dhe personave të lidhur.   

Me miratimin e ligjit nr.9367, datë 7.4.2005 dispozita mbi kundërvajtjet administrative të ligjit nr.9049, datë 10.4.2003 u shfuqizuan dhe u përfshinë në nenin 44 të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005. Kjo ka krijuar vështirësi në zbatimin e tij në praktikë dhe ka sjellë përdorimin e referencave të tepërta që i bëjnë të dy ligjet të paqartë dhe të vështira në zbatimin praktik. Ky projektligj synon të risjellë në ligjin e deklarimit të pasurive, dispozitat sanksionuese për shkeljet e tij, duke e bërë më të plotë, më të qartë dhe duke shmangur referimet në zbatimin e tij në praktikë, si nga ana e zyrtarëve, ashtu dhe nga Inspektorati i Lartë.   

 

KONTROLLI I INTERESAVE PRIVATE   

   

Administrimi i deklaratave   

Inspektorati i Lartë, gjatë vitit 2010, ka vijuar punën në pranimin, regjistrimin dhe administrimin e deklaratave të interesave private të subjekteve deklarues. Nga të dhënat e regjistruara në Regjistrin Themeltar, numri i përgjithshëm i subjekteve, (subjekte në funksion, ish-subjekte deklarues dhe personat e lidhur), që kanë deklaruar interesat private pranë Inspektoratit të Lartë që nga fillimi i procesit deklarues deri në vitin 2010 është 10.004 subjekte, nga të cilët:   

  • 4546 janë subjekte në funksion dhe
  • 5458  janë ish-subjekte

Vetëm për vitin 2010 pranë Inspektoratit të Lartë janë administruar, duke kaluar më pas fazat e tjera të kontrolleve një total prej 5302 deklarata të interesave private, të ndara sipas tipeve:   

  • Deklarata Periodike/Vjetore (për vitin deklarues 2009) – 4030 deklarata
  • Deklarata Para Fillimit të Detyrës (2010)   – 802 deklarata
  • Deklarata Pas largimit nga Detyra (2010) – 470 deklarata

   

Kontrolli paraprak  

 Në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, deklaratat e dorëzuara pranë Inspektoratit të Lartë kanë kaluar në faza të mëtejshme të kontrollit, duke filluar nga kontrolli paraprak. Gjatë kryerjes së kontrollit paraprak, me qëllim konstatimin e gabimeve materiale dhe formale, është konstatuar një ulje problemeve dhe gabimeve në krahasim me të njëjtën periudhë vitin e kaluar, sidomos për subjektët të cilët deklarojnë interesat e tyre private për herë të parë. Më konkretisht, në ILDKP janë rithirrur dhe kanë plotësuar gabimet materiale rreth 340 zyrtarë.    

Në raste të konstatimit të parregullsive formale janë ndjekur hapat ligjorë përkatës, duke thirrur subjektët deklarues për korrigjim të këtyre parregullsive. Vlen të theksohet që shumica e subjektëve deklarues janë paraqitur pranë zyrave të ILDKP duke bërë korrigjimet përkatëse. Për subjektët të cilët nuk janë paraqitur, në çdo rast, ILDKP ka dërguar shkresë/njoftim zyrtar subjektit duke venë në dijeni dhe eprorin njëkohësisht. Më pas është vijuar me vendosjen e masës administrative “gjobë” për ato zyrtarë që nuk kanë respektuar afatin ligjor, 15-ditor, për korrigjimin e pasaktësimve apo për plotësim të të dhënave të mëtejshme. Këto masa do të vijojnë të ndërmerren dhe për vitin në vijim, duke rritur në këtë mënyrë efikasitetin dhe përformancën institucionale në çdo drejtim.

 

 Kontrolli aritmetik dhe logjik   

Kontrolli aritmetik e logjik, kryhet për çdo deklarim të depozituar në ILDKP nga subjektet deklarues, për të verifikuar saktësinë e vlerësimit të pasurisë së deklaruar, saktësinë e burimeve financiare të deklaruara dhe mjaftueshmërinë e mbulimit të pasurisë nga burimet e deklaruar, si dhe ekzistencën e konfliktit të interesave. Nga deklaratat e interesave private të dorëzuara gjatë vitit 2010, (Periodike Vjetore 2009 dhe Para Fillimit 2010) kanë kaluar për kontroll aritmetik e logjik deri më 31.12.2010, 4320 deklarata.

 

 

  Kontrolli i Plotë    

Procesi i kontrollit të plotë, si një ndër proceset më të rëndësishme të veprimtarisë së Inspektoratit  të Lartë, ushtrohet në zbatim të nenit 17 dhe 18 të ligjit nr.9367, datë 07.04.2005 “Për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike”.   

Gjatë vitit 2010 kanë kaluar për kontroll të plotë 475 subjektë deklarues, nga të cilët:   

  • Për shkak të funksionit (neni 17/2)

Në zbatim të nenit 17, pika 2 të ligjit nr.9367, datë 07.04.2009 “Për parandalimin e konfliktit te interesave në ushtrimin e funksioneve publike” kontrolli i plotë është kryer për  185 subjektë deklarues. Vlen të përmendet fakti se, në vitin 2010, për herë të parë kaluan njëkohësisht në kontroll të plotë zyrtarët më të lartë të Republikës së Shqipërisë, duke filluar nga Presidenti i Republikës, Kryeministri, ministra, deputetë, anëtarë të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, etj.   

  • Përzgjedhja nga shorti (neni 17/3)

Në zbatim të nenit 17, pika 3, kanë kaluar për kontroll të plotë 190 subjektë deklarues të interesave private, në vijim të procedurës së hedhjes së shortit për kontrollin e plotë të deklaratave të interesave private, të të gjitha kategorive të zyrtarëve, për një numër prej të paktën 4% të numrit të përgjithshëm të deklaratave. Përzgjedhja e deklaratave me short u bë në prani të qytetarëve të thjeshtë, përfaqësuesve të medias, të shoqërisë civile, grupe interesi, etj, pas një procedure të re të përcaktuar në një rregullore të posaçme, të miratuar paraprakisht.   

  • Me probleme nga kontrolli aritmetik e logjik (neni 17/4)

Në mbështetje të nenit 17/4, kanë kaluar për kontroll të plotë 75 subjektë deklarues, për ato raste kur gjatë kontrollit aritmetik e logjik, janë evidentuar mospërputhje ndërmjet aseteve të zyrtarëve dhe burimit të krijimit të tyre.   

  • Nga burime të ligjshme, si media, publiku etj (neni 17/5)

Mbi bazën e informacioneve dhe të dhënave të siguruara nga burime të ligjshme, media, shoqëria civile dhe publiku, të cilat ngrinin dyshime të arsyeshme për vërtetësinë dhe saktësinë e të dhënave të pasqyruara në deklarimin e zytarit, është kryer kontrolli i plotë për 23 subjektë deklarues. Inspektorati i Lartë trajton me seriozitet dhe me prioritet çdo rast të dyshuar korrupsioni që bëhet publik në media.   

  • Si person i lidhur

Në vitin 2010, Inspektorati i Lartë ka nisur kontrollin e plotë në 2 raste, për “persona të lidhur” me zyrtarin deklarues.   

Hetimi administrativ    

Bazuar në nenin 18 të ligjit nr. 9367, dt. 7.4.2005, në vitin 2010 është kryer procesi i hetimit administrativ për 9 subjekte, një procedurë e cila plotëson në mënyrë më shteruese kontrollin e plotë. Hetimi administriv kryhet në rastet kur nga rezultatet e verifikimit të deklarimit është arritur në përfundimin se burimet nuk mbulojnë apo justifikojnë pasuritë e zyrtarëve, ose, kur për një deklaratë ka të dhëna nga burime të ligjshme për fshehje të interesave private. Aktualisht, Inspektorati i Lartë ka nisur procesin e hetimit administrativ për disa raste të tjera, për të cilat janë ofruar të dhëna nga media, shoqëria civile, por edhe qytetarë të ndryshëm në numrin pa pagesë të institucionit 0800-9999. Procedura e  hetimit administrativ, sipas dispozitave përkatëse, është një tagër ligjore e Inspektorit të Përgjithshëm, aplikohet sa herë që ka të dhëna nga burime të ligjshme për veprime korruptive nga ana e subjekteve deklarues.

 

 Në përfundim të proceseve kontrolluese, gjatë vitit 2010, ILDKP ka kallëzuar penalisht 18 subjekte të niveleve të ndryshme të administratës qendrore e lokalë, për veprën penale të parashikuar në nenin 257/a të Kodit Penal, “Refuzimi per deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive te personave te zgjedhur dhe nepunesve publike”.

 

 

 Bashkëpunimi me organet e drejtësisë   

Kuvendi i Shqipërisë, në Rezolutën për aktivitetin e ILDKP për vitin 2010, kërkoi nga institucioni “ndjekjen me shumë forcë e vendosmëri nga organet e ndjekjes penale për procedimin rezultativ të zyrtarëve të zbuluar prej tij në konflikt interesi apo në fshehje të pasurive të tyre; si edhe “informimin publikisht ose të drejtpërdrejtë të Kuvendit për rastet kur autoritetet përgjegjëse, respektivisht Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë i Drejtësisë apo Ministria e Drejtësisë neglizhojnë apo kapin rezultate të ulëta në ndjekjen dhe ndëshkimin e konfliktit të interesit apo fshehjes së pasurisë të zbuluar prej tij;   

Gjatë vitit 2010, sërish Inspektorati i Lartë konstaton se çështjet e referuara nga institucioni në organet e drejtësisë nuk finalizohen me sanksione penale nga organet e drejtësisë. Krahasuar me vitin 2009, është vënë re një ndërgjegjësim në rritje nga ana e prokurorisë në trajtimin e kallëzimeve penale. Megjithatë, sërish ka çështje të cilat, në gjykimin e Inspektoratit të Lartë, janë pushuar nga organi i Prokurorisë pa argumentime ligjore bindëse.   

Bazuar në një komunikim shkresor me organin e Prokurorisë, për 18 raste të kallëzimeve penale nga ana e Inspektoratit të Lartë gjatë vitit 2010, prezantohet kjo situatë:   

-          Për 7 kallëzime penale çështjet janë dërguar për gjykim   

-          Për 7 kallëzime penale është pushuar procedimi penale   

-          Për 4 raste të tjera, vazhdojnë ende hetimet   

           Nga 8 kallëzime të dërguara nga ILDKP në organin e Prokurorisë për veprën penale të parashikuar në nenin 257/a i Kodit Penal, paragrafi i parë, “Refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë së personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë sipas ligjit”, 3 raste janë dërguar për gjykim, ndërsa 5 raste të tjera janë pushuar, pavarësisht se është provuar me prova shkresore nga ana e Inspektoratit të Lartë fakti i mosdorëzimit në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme ligjore e dokumentit zyrtar “deklaratë e interesave private”.   

Nga 10 kallëzime të dërguara nga ILDKP për veprën penale të parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal, “Fshehja ose deklarimi  i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”, për katër zyrtarë çështja ka kaluar për gjykim; për dy zyrtarë është vendosur pushimi i hetimeve ose mosfillim i procedimit penal, megjithëse ekzistojnë provat shkresore të administruara nga ILDKP, të cilat vërtetojnë shkeljen ligjore. Ndërsa për katër zyrtarë të tjerë po vazhdojnë ende procedurat e hetimit.   

Nga ana tjetër, problem permanent mbetet trajtimi në sistemin gjyqësor, i kallëzimeve penale të iniciuara nga Inspektorati i Lartë dhe rasteve të shqyrtimit të ankimeve të zyrtarëve të ndëshkuar për shkelje të ligjit të parandalimit të konfliktit të interesave. Kjo situatë ndikon negativisht në performancën institucionale, si edhe në ndërgjegjësimin e zyrtarëve për respektimin e kërkesave ligjore. Këtë shqetësim e kemi prezantuar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe, nëpërmjet bashkëpunimit dypalësh, synojmë goditjen me forcën e ligjit për veprimet korruptive në administratën publike.     

Gjithashtu, mbetet problem marrja e masave disiplinore nga institucionet publike, pas njoftimit nga ana e Inspektoratit të Lartë, lidhur me shkeljet e konstatuara të ligjit të deklarimit të pasurive apo parandalimit të konfliktit të interesave, nga ana zyrtarëve publikë. Në përgjithësi, ILDKP konstaton se institucionet nuk zbatojnë kërkesat lidhur me ndërmarrjen e hapave ligjore, siç përcaktohet në:   

1. Neni 5/1 i ligjit nr. 9049, dt. 10.4.2003;   

Refuzimi për deklarim sjell humbjen e funksionit dhe ndëshkimin në përputhje me Kodin Penal. Inspektori i Përgjithshëm, brenda 30 ditëve, i dërgon organit përgjegjës njoftimin e motivuar për largimin nga puna të personit që refuzon të deklarojë.   

Organi përgjegjës, brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit, është i detyruar të marrë masa për largimin nga puna të punonjësit që ka refuzuar deklarimin.   

2. Neni 15/b i ligjit nr. 9049, dt. 10.4.2003   

Inspektorati i Lartë:   

b) njofton, rast pas rasti, Presidentin, Kuvendin, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Këshillin e Ministrave, Kryeministrin, ministrat dhe drejtuesit e institucioneve qendrore për parregullsitë e vërtetuara në deklarimin e pasurisë nga punonjësit në juridiksionin e tyre.   

3. Neni 45/1 i ligjit nr. 9367, dt. 7.4.2005   

1. Çdo shkelje e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj nga zyrtarët përbën shkelje disiplinore, pavarësisht nga përgjegjësia penale apo administrative. Masat disiplinore zbatohen në përputhje me ligjet, që rregullojnë marrëdhëniet e punës dhe/ose statusin e zyrtarëve.   

Ky trajtim jokorrekt ul performancën e institucioneve publike në luftën kundër korrupsionit, si edhe krijon siguri tek zyrtarët se shkelja e ligjit nuk ndëshkohet.   

  • TRANSPARENCA INSTITUCIONALE

 Kuvendi i Shqipërisë, në Rezolutën për aktivitetin e Inspektoratit të Lartë për vitin 2009, rekomandoi për periudhën në vijim ”forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve publike e promovimin e veprimtarisë së tij, me qëllim sensibilizimin dhe edukimin nëpërmjet shembujve të veprimit të ligjit, si dhe rritjen e besimit të publikut në eficiencën e mekanizmave të tij antikorruptiv”e.   

Bazuar në këtë direktivë, Inspektorati i Lartë i ka kushtuar rëndësi transparencës institucionale, duke synuar në këtë mënyrë vendosjen e marrëdhënieve të drejtëpërdrejta dhe korrekte me aktorë të ndryshëm të shoqërisë shqiptare. Transparenca institucionale është realizuar nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme;   

-          U organizua për të dytin vit radhazi aktiviteti “ILDKP, me dyer të hapura”, që shënon një nivel të lartë transparencë. Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe organizimi i shortit për përzgjedhjen rastësore të 4% të zyrtarëve që iu nënshtruan më pas kontrollit të plotë, që këtë herë u organizua përmes procesit elektronik. Përzgjedhja e zyrtarëve që kalonin në kontroll të plotë u realizua nga publiku, i cili ishte i pranishëm në këtë aktivitet.   

-          Përmes Programit të Shtetit Ligjor, u mundësua organizimi i tre tryezave të rrumbullaktë me median dhe shoqërinë civile në rrethe. Pjesë e këtyre takimeve, në ndryshim nga viti i kaluar, ishin dhe bizneset lokale.   

-          Në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), Inspektorati i Lartë organizoi në Dhjetor 2010 aktivitetin ”ILDKP dhe roli i medias në luftën kundër korrupsionit”. Gjatë këtij takimi, Inspektorati i Lartë lançoi projektin e tij për bashkëpunim me median me qëllim investigimin në terren të pasurive të zyrtarëve, i cili u mirëprit nga pjesëmarrësit në takim. Realizimi konkret i këtij projekti tashmë është në hapat e parë. Ky aktivitet synon përmbushjen nga ana e ILDKP edhe të një tjetër rekomandimi të Kuvendit të Shqipërisë, “forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe mbështetjes ndaj shoqërisë civile, medias dhe publikut të gjerë për informacionet e dhëna për rastet e denoncimit të shkeljes së ligjit për deklarimin e interesave private pasurore, si dhe për rastet e identifikimit të konfliktit të interesave”.   

-          Gjatë vitit të kaluar, Inspektorati i Lartë ka qenë mjaft aktiv në median e shkruar dhe atë vizive, përmes intervistave, njoftimeve për media, duke prezantuar në çdo rast seriozitet dhe nivel të lartë transparence.   

-          Inspektorati i Lartë është angazhuar në ndërgjegjësimin e subjektëve deklarues për plotësimin e detyrimeve ligjore nëpërmjet spoteve dhe mjeteve të tjera reklamuese mediatike.   

-          Transparenca institucionale është bërë e mundur edhe përmes faqes zyrtare (www.hidaa.gov.al), në të cilën Inspektorati i Lartë ka bërë prezente çdo problematikë, çdo iniciativë të ndërmarrë apo dhe rezultatet e hetimeve të ndryshme të përfunduara nga stafi i tij.   

-          Për vitin raportues, Inspektorati i Lartë në kuadër të transparencës institucionale, por dhe të përmbushjes së detyrimeve ligjore, ka dorëzuar rreth 1500 fotokopje të deklaratave të interesave private të subjekteve të ndryshëm, në çdo rast duke respektuar maksimalisht afatet kohore të parashikuara në legjislacionin shqiptar.   

  

TE DHENA STATISTIKORE NDER VITE

 

  • BASHKËPUNIMI  NDËRKOMBËTAR 

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka realizuar gjatë vitit 2010 një arritje të rëndësishme në planin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në muajin Maj 2010, institucioni u zgjodh drejtuesi i parë i Rrjetit të sapoformuar të Agjencive Rajonale Kundër Korrupsionit (RAI), një organizëm i përbërë nga të gjithë institucionet homologe të ILDKP në Europën Juglindore dhe me mbështetjen e Këshillit të Evropës. Përfaqësuesit e institucioneve anti-korrupsion të 12 vendeve anëtare të Rrjetit zgjodhën Inspektoratin e Lartë si drejtuesin e këtij forumi ndërkombëtar, duke vlerësuar angazhimin e deritanishëm të institucionit në parandalimin e konfliktit të interesave. Kjo është një ndër arritjet kryesore të një institucioni shqiptar në planin ndërkombëtar dhe është rrjedhojë e vendosmërisë institucionale për forcimin e parimeve të mirëqeverisjes në Shqipëri. Në vijim të takimeve të këtij organizmi, Inspektorati i Lartë, në Janar 2011, prezantoi në Tiranë strategjinë e komunikimit ndërmjet strukturave homologe të Ballkanit e më gjerë, për shkëmbimin në kohë reale të informacioneve mbi asete të fshehura apo të krijuara në mënyrë korruptive nga zyrtarët publikë në vendet anëtare.    

            Inspektorati i Lartë mori pjesë, gjithashtu, edhe në takimin e përvitshëm të Konferencës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, agjenci nën administrimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në të cilën u prezantuan arritjet institucionale në luftën kundër korrupsionit. Për të tretin vit radhazi, Inspektorati i Lartë mori vlerësime pozitive për aplikimin e mekanizmave në verifikimin e aseteve të zyrtarëve dhe për rolin në forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri.   

            Në muajin Dhjetor 2010, Inspektorati i Lartë ishte një ndër vendet që diskutuan në Konferencën “Lufta ndërkombëtare kundër fenomenit të mitmarrjes e çështje të tjera të lidhura me të”, e cila u zhvillua nga Banka Botërore, në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. ILDKP prezantoi para pjesëmarrësve nga 120 shtete të botës strategjinë antikorrupsion, duke prezantuar përvojën e deritanishme institucionale.   

  • PËRFORMANCA FINANCIARE

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit  të Pasurive, në zbatim të buxhetit të shtetit të vitit 2010, të rishikuar, është mbështetur në nevojat me të domosdoshme  institucionale, në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i ligjeve organike. Inspektoratit të Lartë, në mbështetje të ligjit nr.10025, datë 27.11.2008 dhe Udhëzimit nr.1, datë 21.01.2010, “Për buxhetin e shtetit për vitin 2010”, si dhe në mbështetje të buxhetit të rishikuar, i është akorduar një fond buxhetor prej 86 milione e 980 mijë lekë, i cili përbëhet nga:   

-          Fondi i Pagave: 54 milionë e 25 mijë lekë     

-          Fondi i Sigurimeve Shoqërore: 6 milione e 400 mijë lekë    

-          Fondi për Shpenzime Operative: 22 milionë e 135 mije lekë    

-          Fondi për Investime: 4 milionë leke     

-          Transferime korrente: 420 mijë lekë   

 Nga fondi i përgjithshëm buxhetor, për periudhën e raportuar, Inspektorati i Lartë, ka realizuar vlerën buxhetore në 99.4%, të fondit të planifikuar vjetor të blerjeve dhe shërbimeve.   

Njëkohësisht, për vitin 2010, në realizim të shpenzimeve operative, Inspektorati i Lartë, është mbështetur në një shpërndarje sa më racionale të kërkesave, të cilat lidhen kryesisht me:   

-          Verifikimin dhe hetimin administrativinteresave private, brenda dhe jashtë vendit zyrtarëvembartin detyrim për deklarim, si një nga momentet më të rëndësishëm të politikave të ILDKP.   

-          Kryerjen e ekspertimit në vend të pasurivepalujtshme në të gjithë territorin e RepublikësShqipërisë, si një moment i dytë i rëndësishëm, në funksion të qëllimit të legjislacionit organik.   

Për këtë vit, janë realizuar 2.65 milionë lekë të ardhura, ku 64% të tyre e zënë të ardhurat nga gjobat, një tregues i rëndësishëm i intensifikimit të punës së institucionit tonë dhe rolit ndëshkues në kuadër të kontrollit të deklarimit të pasurive si dhe të parandalimit të konfliktit të interesave.  

 

 

Për vitin në vazhdim do të zbatojmë me korrektësi treguesit e buxhetit të planifikuar për ILDKP-në, duke synuar maksimizimin e efektivitetit të shpenzimeve në funksion të rritjes së kapaciteteve investiguese dhe hetimin e rasteve abuzive të deklarimit të interesave private dhe parandalimit të konfliktit të interesave të zyrtarëve që ushtrojnë funksione publike   

Ju faleminderit!

  

  

  

  

Raporti Vjetor i veprimtarisë së ILDKP për vitin 2010. Shkarko këtu.  

© 2011 ILDKP, Të gjithë të drejtat e rezervuara
Kjo faqe u mbështet nga: