Ndihme per Zyrtaret
- Si te shmanget Konflikti
- Si te plotesohet Deklarata
- Afatet e Deklarimit
- Formulare Deklarimi
- Subjektet Deklarues
Raportet Vjetore
Dokumenta te ILDKP
Te tjera
Statistika
Numri i përgjithshëm i subjekteve (zyrtarë, ish-zyrtarë dhe familjarë të tyre) që kanë deklaruar interesat private pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në bazë të nenit 3 të ligjit nr.9049, dt.10.4.2003 “Për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, të Detyrimeve Financiare të të Zgjedhurve dhe të disa Nëpunësve Publikë”, që nga fillimi i funksionimit të institucionit deri më Shtator 2011 është:
10 351 persona
nga të cilët:
- 4530 zyrtarë janë me status ‘Subjekt’ dhe vazhdojnë të kenë detyrim për deklarim në ILDKP sipas përcaktimeve kohore ligjore.
- 5821 zyrtarë janë me status ‘Ish-subjekt’ dhe nuk kanë më detyrim për deklarim në ILDKP.
Numri i subjekteve që kanë deklaruar për herë të parë interesat private pranë ILDKP gjatë periudhës Janar 2011 – Shtator 2011, është:
236 persona
Numri i subjekteve të rikthyer në pozicion/funksion deklarues pas një shkëputjeje nga funksioni deklarues prej më shumë se një vit deri më Shtator 2011 është:
71 persona
Nga deklaratat e interesave private pasurore të dorëzuara gjatë vitit 2011 kanë kaluar për kontroll aritmetik dhe logjik deri më Shtator 2011:
1567 deklarata
Kontrolli i Plotë
Numri i përgjithshëm i subjekteve (zyrtarë, ish-zyrtarë dhe familjarë të tyre) që kanë kaluar për Kontroll të Plotë në bazë të nenit 25 të ligjit nr.9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” dhe në bazë të neneve 17 e 18 të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, që nga fillimi i funksionimit të institucionit deri më Shtator 2011, është:
4754 persona ose 47 për qind
Detyrimi për hedhjen e shortit përcaktohet në nenin 17, pika 3 e ligjit nr. 9367, dt. 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, në të cilin thuhet se ”Për të gjitha kategoritë e tjera të zyrtarëve, që u nënshtrohen deklarimit periodik (përfshirë ato të përcaktuara në shkronjat e mësipërme të pikës 2), kontrolli kryhet çdo vit për një numër prej të paktën 4 për qind të numrit të përgjithshëm të deklaratave. Përzgjedhja e deklaratave bëhet me short, në prani të përfaqësuesve të sindikatave, të grupeve të ndryshme të zyrtarëve (nëse ekzistojnë), të medias, të shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare. Përzgjedhja e një zyrtari/deklarate, në një vit, nuk e përjashton zyrtarin/deklaratën nga shorti për vitin pasardhës”.
Në pikën 2 të nenit 17 të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, përcaktohet detyrimi për kontrollin e plotë për verifikimin e vërtetësisë dhe të saktësisë së të dhënave që përmbahen në deklaratë:
a) çdo 2 vjet për Kryeministrin, Zëvendëskryeministrin, ministrant, zëvendësministrat, anëtarin e organit të një autoriteti rregullator ose të mbrojtjes së konkurrencës, përfshirë Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Zëvendësguvernatorin dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të saj, si dhe për Presidentin e Republikës, gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurorin e Përgjithshëm, Avokatin e Popullit, anëtarin e KQZ-së, anëtarin e KLD-së dhe Inspektorin e Përgjithshëm të ILDKP-së:
b) çdo 3 vjet për:
i) kryetarët e bashkive ose të komunave me mbi 10000 banorë dhe për kryetarët e këshillave të qarqeve;
ii) për zyrtarët e nivelit të lartë drejtues, të përcaktuar në nenet 31 e 32 të ligjit;
- nëpunësi civil i nivelit të lartë drejtues, sipas përcaktimit të nenit II të ligjit nr. 8549, datë ll. ll. 1999 “Statusi i nëpunësit civil”;
- zyrtari nivelit të lartë të Policisë së Shtetit dhe të Forcave të Armatosura, sipas sistemit të gradave dhe detyrave të zbatueshme për këto institucione publike;
- zyrtarët e nivelit të lartë, që barazohen me ata të nëpunësit civil në entet
- rregullatore dhe në të gjitha institucionet e tjera publike;
- zyrtari i lartë i administratës tatimore dhe doganore
iii) për prefektët,
iv) për gjyqtarët e apelit, prokurorët e apelit dhe të Prokurorisë së Përgjithshme;
c) çdo 4 vjet për deputetët, për titullarët e institucioneve shtetërore, qendrore ose vendore, dhe anëtarët e organeve kolegjiale të këtyre institucioneve, të papërfshira në shkronjat e mësipërme të kësaj pike.
Pika 5 e nenit 17 të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, përcakton detyrimin për kontrollin e plotë edhe çdo herë që gjykohet e nevojshme nga Inspektori i Përgjithshëm, kur ai ka të dhëna, nga burime të ligjshme, që vënë në dyshim vërtetësinë dhe saktësinë e të dhënave që përmbahen në deklarimin e një zyrtari, si dhe kur ka mospërputhje, që rezultojnë nga kontrolli aritmetik e logjik, të cilat tregojnë se burimet nuk mbulojnë ose nuk justifikojnë të drejtat pasurore të deklaruesit.
Shorti për Kontroll të Plotë
Numri prej 4692 subjektesh që mbartin detyrimin për deklarim të interesave private u përfshi në shortin e vitit 2011 për përzgjedhjen e 4 për qind të tyre për kalim në kontroll të plotë (bazuar në pikën 3, neni 17 i ligjit nr.9367, dt. 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Shorti i hedhur më 20.04.2011 përzgjodhi:
188 subjekte ose 4 për qind
Bashkëpunimi me Autoritetet Përgjegjëse
Numri i përgjithshëm i Autoriteteve Përgjegjëse për zbatimin e ligjit mbi “deklarimin e pasurive” dhe mbi “konfliktin e interesave” në institucione publike qendrore e vendore deri me Shtator 2011, është:
540 Autoritete Përgjegjës
Trajtimi dhe Parandalimi i Konfliktit të Interesave (2011)
Impenjimi në këtë drejtim ka dhënë rezultatet pozitive; në funksion të parandalimit të konfliktit të interesave, por dhe të përmbushjes së detyrimeve ligjore, të parashikuara në ligjin mbi konfliktin e interesave, për periudhën Janar- Shtator 2011, janë dhënë interpretime për trajtim dhe zgjidhje të rasteve konkrete, si më poshtë:
- 25 raste të përcjella për interpretim dhe zgjidhje nga zyrtarët, institucionet, Autoritetet Përgjegjëse të institucioneve etj.
- 30 raste të dyshuara për konflikt interesi të paraqitura nga institucione të ndryshme të administratës publike (kryesisht në administratën tatimore e doganore), të trajtuara dhe interpretuara në bashkëpunim me Inspektoratin e Lartë.
- 63 raste të trajtuara me Autoritetet Përgjegjëse të institucioneve qendrore e të qeverisjes vendore, gjatë takimeve periodike të zhvilluara me to (Kontrolli i ushtruar mbi veprimtarinë e A.P), në kuadër të parandalimit në kohë të rasteve të konfliktit të interesave.
Kontrolli i Autoriteteve Përgjegjëse (2011)
Inspektorati i Lartë i Deklarimi dhe Kontrollit të Pasurive, në zbatim të nenit 42, pika 1, shkronja “dh”, të ligjit 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” në periudhën 25 Shkurt- 31 Mars 2011, ka ushtruar kontroll pranë Autoriteteve Përgjegjëse për parandalimin e konfliktit të interesave, mbi realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara në ligj, në 85 institucione të administratës publike.
- Gjatë programit të kontrollit, autoriteteve përgjegjëse të këtyre institucioneve u është dhënë asistencë dhe konsullenca e nevojshme mbi instrumentat ligjorë për evidentimin, trajtimin, zgjidhjen e situatave të mundshme të konfliktit të interesave, mbi mënyrat e regjistrimit dhe raportimit të tyre, si dhe për masat përkatëse që duhen të ndërrmerren nga këto struktura.
- Krahas asistencës për Autoritetet Përgjegjëse, gjatë kësaj periudhe është dhëne asistencë dhe trajnim për plotësimin e deklaratës dhe çështjet e konfliktit të interesave për 95 zyrtarë të administratës publike.
Trajnime (2010)
- Trajnime me zyrtarë të administratës publike (2010)
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në bashkëpunim me Institutin e Trajnimit të Administratës Publike dhe me mbështetjen e OSBE-Prezenca në Shqipëri, në vitin 2010, zhvilluan një seri seminaresh në shtatë ministri dhe institucionet e tyre të varësisë. Në këto seminare morën pjesë zyrtarë të niveleve të ndryshme drejtuese, duke filluar nga Sekretarë të Përgjithshëm, Drejtorë të Përgjithshëm, Drejtorë Drejtorie, Përgjegjës Sektori si dhe Specialistë.
- Ministria së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta,
- Ministria e Mjedisit, Ushqimit, Mbrojtjes së Konsumatorit
- Ministria e Mbrojtjes,
- Ministria e Drejtësisë,.
- Ministria e Punëve të Jashtme,
- Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve,
- Ministria e Integrimit Evropian,
Gjithësej, në këtë cikël seminaresh, janë trajnuar 467 zyrtare.
- Trajnime me Autoritetet Përgjegjëse (2010)
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në bashkëpunim me Institutin e Trajnimit të Administratës Publike dhe me mbështetjen e USAID, në vitin 2010, zhvilluan një seri seminaresh me Autoritetet Përgjegjëse të institucioneve qëndrore dhe vendore në 7 ditë trajnimi
- 37 zyrtare me cilësinë e Autoriteve Përgjegjëse të institucioneve qendrore
- 135 zyrtare me cilësinë e Autoriteve Përgjegjëse të qeverisjes vendore
Masat Administrative
- Masa administrative për shkelje te ligjit te parandalimit te konfliktit te interesave
Inspektorati i Lartë, në përputhje me kërkesat e ligjit, në periudhën Janar- Mars 2011, ka vendosur masën administrative “gjobë”, për 6 zyrtarë, për shkak të kryerjes së detyrës në kushtet e konfliktit të interesave. Rastet kanë qënë specifike dhe mbulojnë fushën e prokurimeve, arsimit, subvencioneve dhe papajtueshmërisë me funksionin publik.
- Masa administrative për shkelje të afateve në deklarim
Inspektorati i Lartë, në përputhje me kërkesat e ligjit, në periudhën Janar- Qershor 2011, ka vendosur masën administrative “gjobë” për 32 zyrtarë, për shkak të shkeljes së afateve në dorëzimin e deklaratës së interesave private, të përcaktuar në ligjin nr.9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” dhe ligjin nr.9367 datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtimin e funksioneve publike”.
Pas zgjedhjeve vendore të Majit 2011, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka vendosur masë administrative “gjobë” për shkelje të afateve në dorëzimin e deklarates së interesave private, ndaj 48 drejtuesve të pushtetit vendor, nga të cilët 27 janë kryetarë të rinj dhe 21 janë ish-drejtues, të larguar nga funksioni.
Pra, gjithesej nga Janari-Shtator 2011, janë vendosur 79 gjoba për shkelje të afateve në deklarim.
- Masa administrative për shkelje të rregullave të deklarimit
Në periudhën Janar- Shtator 2011, në zbatim të nenit 44/1 pika ë) të ligjit nr.9367 datë 7.4.2005, janë vendosur masa administrative “gjobë” ndaj 9 zyrtareve, për shkak të parregullsive të konstatuara në deklaratat e tyre të interesave private.
Kallzime Penale
ILDKP në përfundim të hetimit administrativ, ka dërguar në organin e prokurorisë kallzim penal për fillimin e ndjekjes penale ndaj 5 zyrtarëve, për veprën penale të parashikuar në nenin 257/a i K.Penal “Refuzimi per deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive te personave te zgjedhur dhe nepunesve publike”, në zbatim të nenit 281 të Kodit të Procedurës Penale.
Komunikimi me Publikun
ILDKP është angazhuar maksimalisht në komunikimin me median dhe publikun. Gjatë periudhës Janar – Shtator 2011, ILDKP ka qenë e pranishme shpesh në media, nëpërmjet takimeve të organizuara apo njoftimeve të shpërndara për publikim.
Gjatë vitit 2011, ILDKP ka vënë në dispozicion të medias, organizmave joqeveritarë e publikut rreth 950 fotokopje të deklaratave të interesave private të zyrtarëve të ndryshëm.



